75 Mall Live Search
11:26 / E Martë, 12 Mars 2024 / L K

E ardhmja e NATO-s dhe agresioni rus në qendër të takimit të Biden dhe Tusk

Mes kërcënimeve nga Donald Trump  për NATO-n dhe paralajmërimeve nga agjencitë e inteligjencës amerikane për Ukrainën, Joe Biden do të përpiqet sot të qetësojë kryeministrin polak Donald Tusk gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.

Takimi do të zhvillohet në një kohë kur shërbimet e inteligjencës amerikane, në raportin e tyre në Senat, i cili u publikua dje të hënën, paralajmërojnë se në luftën në Ukrainë “dinamika po ndryshon gjithnjë e më shumë në favor të Moskës”, pasi Kievi nuk po merr ndihma nga SHBA për shkak të konflikteve të brendshme politike në Kongres.

Presidenti amerikan synon t’i përsërisë Donald Tusk dhe presidentit polak Andriy Duda, me të cilët do të takohet gjithashtu, “angazhimin e panegociueshëm për mbrojtjen e Ukrainës përballë sulmit brutal të Rusisë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Polonia, nga ana e saj, tashmë shpenzon rreth 4% të PBB-së për mbrojtjen e saj, kryesisht për blerjen e pajisjeve amerikane.

Biden është shfaqur si garantuesi i së ardhmes së NATO-s kryesisht kundër kërcënimeve të Trump, paraardhësit të tij në presidencën amerikane dhe kundërshtarit të tij më të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Republikani kishte thënë së fundmi se do të “inkurajonte” Rusinë të sulmonte vendet e NATO-s që nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre, deklarata që Biden i kritikoi ashpër./abcnews.al

Megjithatë, presidenti amerikan vlerësoi, në bisedën e tij të shkurtër me gazetarët të hënën, se “nuk ka nevojë të vendosen më shumë ushtarë amerikanë në kufirin polak”.

Tashmë ka rreth 10,000 trupa amerikane në këtë vend të Europës Lindore.

Përveç kësaj, Biden i kërkoi përsëri Kongresit gjatë fjalimit të tij për gjendjen e kombit javën e kaluar që të lëshonte një paketë prej rreth 60 miliardë dollarë për Ukrainën, e cila nuk ka marrë ndihmë nga SHBA që nga fundi i dhjetorit.