E dashura e pilotit të KFOR-it lidhet me bisedat e njërit prej sulmuesve të rastit në Banjskë – publikohen mesazhet sekrete

Një pilot i Forcave Ajrore Kroate, J.I. (54), dhe partnerja e tij A.M. (46), janë arrestuar në ishullin Vis për dyshime të rënda spiunazhi. Ata ndodhen në paraburgim për të mos penguar hetimet që po i udhëheq Prokuroria e Splitit.
Piloti akuzohet për nxjerrje të informacioneve sekrete nga misioni i KFOR-it në Kosovë, të cilat dyshohet se ia ka dërguar partneres së tij, ndërsa kjo e fundit dyshohet për mbledhje dhe transmetim të të dhënave konfidenciale përmes aplikacioneve të koduara.
Hetimet kanë zbuluar biseda të dyshimta rreth incidentit të 25 dhjetorit 2022 në Zubin Potok, si dhe kontakte të A.M. me Vladimir Radivojeviqin (“Mami”), i akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë më 2023. Sipas mediave kroate, A.M. ka pranuar gjatë mbrojtjes se ka punuar për shërbimin sekret gjerman BND.
Marrëdhënia e çiftit nisi në Kosovë në vitin 2016, kur piloti ishte pjesë e KFOR-it dhe A.M. përkthyese në EULEX. Rasti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e misioneve ndërkombëtare në rajon.