E dërgoi djalin për kontroll në QKUK, hajnat ia vjedhin pasaportat, dokumentet e paratë

Sot në mëngjes shkoi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për ta dërguar në kontroll djalin e saj të sëmurë, por nënës nga Peja, i ndodhi diçka e paparitur, asaj në vendparkim dikush ia vodhi dy çantat e krahut, në të cilat kishte dhe dokumentacionet dhe një shumë parash.
Blerina Boqolli ka treguar për IndeksOnline se si ka ndodhur ngjarja, ndërsa është drejtuar menjëherë për ndihmë te Policia e Kosovës.
“Djalin e kam të sëmurë nga leukemia dhe e kam sjell në kontroll në Prishtinë dhe djalin e kam të vogël thashë ta fus atë brenda në spital e më pas të kthehem t’i marr dokumentat se edhe s’kisha për të ecur shumë. Dhe, kur u ktheva e pashë që nuk janë çantat në makinë.
Në çantën time i kam pas dy kuleta, në njërën i kam pasur 700 euro dhe në tjetrën i kam pasur dokumentat, tri pasaporta të fëmijëve. Në këto dokumentacione ishin të gjitha kontrollet prej kur është sëmurë djali, analizat e të gjitha. Kështu s’kam më ku ta çoj djalin pa këto dokumente dhe pa pasaporta”, ka thënë Boqolli.
Nëna e shqetësuar thotë se më 20 janar i duhet ta dërgojë djalin për kontroll në Turqi, derisa bën thirrje që nëse dikush has në këto dokumente që janë në emër të Ideal Boqollit t’ia kthejë, pasi që hajduti sipas saj e kishte marrë çantën ku ndodheshin ato, pasi që ajo ishte e llaptopit.
“Tani jemi te policia me gjithë bashkëshortin, rasti ka ndodhur në orën 08:00 të mëngjesit. Që nga atëherë jem duke pyetur njerëz përreth, por askush thotë që nuk ka parë asgjë, sepse nuk ka kamera, sigurim dhe asgjë”, ka deklaruar ajo.
Djali i saj, është diagnostikuar me leukemi që nga muaji gusht i vitit 2018, ndërsa transplanti i palcës kurrizore i është bërë në Turqi, i cili ka kushtuar 160 mijë euro, shumë kjo e paguar nga Ministria e Shëndetësisë./IndeksOnline/