E dhimbshme/ Me 24 vjet pensionohet nga futbolli

Lorik Aliu ka qenë një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit në Kosovë.
Por, ai sot ka marrë një vendim të rëndësishëm për ta lënë futbollin. Shkak kanë qenë lëndimet e shumta që ka pasur gjatë karrierës.
Aliu e ka bërë publik lajmin në rrjetin social Facebook.
“Familjarë, shoqëri, dashamirë të futbollit!
Po shfrytëzoj këtë postim për t’ju dhënë një lajm jo të mirë për mua dhe të gjithë ata që më projektuan në majat e sportit më të bukur, FUTBOLLIT.
Kam vendosur që përfundimisht t’i jap fund karrierës sime si futbollist aktiv, për shkak të lëndimeve të shumta duke e cilësuar si vendimin më të drejtë.
Është tejet e vështirë që të vendos atletet në gozhdë, pasi që ëndrra më e madhe e jetës sime u ndërpre e u shua shumë shpejt.
Ëndrra për t’u bërë futbollist profesionist i nivelit të lartë, do ngelet në sirtarin tim, si e parealizuar përjetësisht.
Dua që t’ju falenderoj të gjithëve që më qëndruat afër nga dita e parë e deri sot, dhe bashkëndjetë me mua dhimbje, zhgënjime e triumfe, por fati deshi të përfundonte kështu.
Shihemi në sfida të reja!”, ka shkruar Aliu.
Gjatë karrierës së tij, 24-vjeçari ka luajtur me Prishtinën, Llapin etj. Po ashtu ai ka qenë pjesë e shpresave të Shqipërisë.
/Indeksonline/