E dhunoi gruan dhe mbante armë pa leje 50-vjeçari në arrati

Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj ka pranuar më 21 gusht 2025, rreth orës 15:30, një informatë lidhur me një rast të dhunës në familje që dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi në Komunën e Shtimes, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari – një mashkull kosovar 50-vjeçar, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Gjatë intervenimit dhe kontrollit të shtëpisë së tij nga njësitet policore, është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri e llojit pistoletë si edhe 23 fishekë, për të cilat i dyshuari nuk posedonte leje.
Me urdhër të prokurorit të shtetit janë iniciuar dy raste penale ndaj të dyshuarit:
Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve,
Dhunë në familje.
Aktualisht, policia është në kërkim të të dyshuarit, ndërsa viktima është vendosur nën përkujdesjen dhe mbrojtjen e autoriteteve.