15:03 / E Martë, 09 Shkurt 2021 / OSH

E ekstradojnë nga Hungaria në Kosovë, Gjykata Themelore në Pejë i cakton arrest shtëpiak kosovarit!

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për krime të rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit D.S., për shkak të dyshimit të bazuar se:

Më 12.05.2018, në Serbi, me qëllim që vetes t’i sillte dobi financiare të kundërligjshme, paraprakisht merret vesh me prindin e viktimës së mitur, që atë në mënyrë të kundërligjshme ta dërgonte në Gjermani, në rrugë ilegale, për një shumë paraah, ku e merr viktimën dhe në mënyrë të kundërligjshme e kalojnë kufirin, pajisen me dokument të rremë identifikimi e pastaj tentojnë ta kalojnë kufirin për në shtete të BE-së, por ndalohen nga policia në pikën kufitare.

Me këto veprime i pandehuri D.S. kishte për të kryer veprën penale kontrabandim me emigrantë e mbetur në tentativë nga neni 170 par. 1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.

I pandehuri D.S., është arrestuar jashtë shtetit sipas urdhërarrestit ndërkombëtar të Gjykatës Themelore në Pejë, ai është ekstraduar në shtetin e Kosovës dhe është sjell para gjykatës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, për këtë arsye të pandehurit iu caktua masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se me gjetjen e mundshme të tij në liri, ekziston rreziku real që të ikë për faktin se ai deri tani ka qenë në arrati.

Gjithashtu, i me gjetjen e të pandehurit në liri, ai mund të ndikojë në ndryshimin e deklaratës së të miturës dhe dëshmitarëve të tjerë që do të dëgjohen në drejtim të dhënies së dëshmive në favor të tij, ashtu që me këto veprime do t’i shmanget përgjegjësisë penale dhe do ta pengojë rrjedhën normale të procedurës penale. Andaj, nga të lartcekurat gjykata ka vlerësuar se me masën e arrestit shtëpiak do të arrihet prania e të pandehurit në procedurë gjatë gjithë procedurës penale, përkatësisht do të mundësohet rrjedha normale dhe e pa penguar e procedurës në vazhdim.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.