E eliminoi Gjilanin me buxhet milionësh, trajneri i Istogut flet pas suksesit

Skuadra e Istogut sot bëri befasinë, pasi mposhti Gjilanin në Kupën e Kosovës.
Pas një paraqitje fantastike dhe me rezultatin final në 0:2, Istogu e eliminoi klubin e trajnerit Bylbyl Sokoli nga Kupa e Kosovës, shkruan IndeksOnline
Edhe pse ata kishin një kundërshtar të vështirë para vetit si Gjilanin, Istogu nuk ndaloi asnjë çast deri në arritjen e qëllimit të tyre.
Për të njohur më shumë se kush ishte çelësi i kësaj fitore dhe pse Istogu u paraqit kaq i vendosur ndaj Gjilanit, IndeksOnline ka biseduar me trajnerin Nazmi Ramën.
Ai tregoi se kjo fitore erdhi me angazhimin e futbollistëve si dhe lojës në mbrojtje që e zhvilloi klubi i Istogut.
“Jemi munduar dhe kemi punuar në aspektin që të paraqitemi sa më mirë, duke marrë parasysh, që e kishim një kundërshtar që e çmoj shumë, kanë një ekip të mrekullueshme dhe një trajner të jashtëzakonshëm”, tha fillmisht ai.

“Kështu që kemi punuar edhe në tri ndeshjet miqësore që të luajmë më shumë në mbrojtje, që mos të na deklasojnë, se këtu e kanë prit gjithë një fitore të Gjilanit. Unë i kam treguar lojtarëve se ndeshje sot e fiton ekipi që vrapon ma shumë dhe angazhohet më shumë, kemi luajtur aq mirë saqë Gjilani nuk ka mundur të na bëjë as edhe një rast”, vazhdoi trajneri i Istogut.
Mes tjerash, Rama tregoi edhe për skuadrat që janë favoritet për ta fituar Kupën e Kosovës”.

“Për mua pas rënjes së Gjilanit, favorit për ta fituar Kupën e Kosovës, janë skuadrat si Prishtina, Llapi e Feronikeli. Ndërsa ne do të mundohem që të tregojmë paraqitje të mira me çdo skuadër që na bie me u përballë”, tha tekniku Rama.