75 Mall Live Search
23:10 / E Enjte, 28 Gusht 2025 / Burim

“E fiksuar për të vrarë fëmijët”/ Masakra në shkollën katolike në SHBA, autoritetet zbulojnë detaje të reja

Hetimet mbi masakrën e fundit në SHBA kanë zbuluar detaje tronditëse mbi motivet e autores së sulmit.

Sipas autoriteteve, autorja transgjinore e sulmit kishte një fiksim të theksuar pas idesë për të vrarë fëmijë dhe shfaqte urrejtje ndaj shumë grupeve të ndryshme.

Në një konferencë për shtyp, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i Minnesotës, Joseph Thompson, deklaroi se ka prova të qarta të urrejtjes në shkrimet e sulmueses, përfshirë urrejtje ndaj komunitetit hebre dhe ndaj ish-presidentit Donald Trump.

“Sulmuesja shfaqte urrejtje ndaj shumë grupeve, përfshirë komunitetin hebre dhe presidentin Trump,” tha Thompson.

Ai shtoi se çdoherë që ndodhin sulme në vende të shenjta, policia lokale dhe autoritetet federale bashkëpunojnë ngushtë për hetime të plota, transmeton tch.

Zyrtari përmendi gjithashtu edhe shkrimet e sulmueses, të cilat ofrojnë një pasqyrë shqetësuese mbi gjendjen e saj mendore dhe planet që kishte. Ato tregojnë se sulmuesja idolatrizonte autorët e masakrave në shkolla dhe vrasësit masivë.

“Një gjë është e qartë nga ato që ka shkruar, dhe ndoshta do të jetë e vështirë për ta dëgjuar, por është thelbësore për të kuptuar pse ndodhi kjo ngjarje: më shumë se çdo gjë tjetër, sulmuesja donte të vriste fëmijë,” u shpreh Thompson.

Hetimet vijojnë ndërsa autoritetet përpiqen të kuptojnë plotësisht motivet dhe rrjedhën e ngjarjeve që çuan në këtë tragjedi të rëndë.