E hënë tragjike, katër raste të vetvrasjeve në Kosovë brenda ditës së sotme

Një ditë e rëndë për Kosovën, e shënuar nga tragjedi të njëpasnjëshme.
Vetëm gjatë datës 18 gusht 2025, në vend janë raportuar katër raste vetëvrasjeje në vende të ndryshme të vendit. Ngjarje që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë nxjerrë në pah thellësinë e krizës sociale dhe psikologjike që po përjeton shoqëria kosovare.
Rasti i parë është raportuar rreth orës 15:40 në drejtim të fshatit Çerkolez të komunës së Istogut, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti. Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi. Ai ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe autoambulanca, ndërsa mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës. Prokuroria është njoftuar dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
Rasti i dytë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Zveçan, ku rreth orës 06:30, Policia e Kosovës ka marrë informacion për një 77-vjeçar që ishte gjetur i varur në disa rrethoja metali pranë një shtëpie.
Rasti i tretë është raportuar rreth orës 10:10 në fshatin Prekaz i Poshtëm të Skenderajt. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e një burri rreth 65 vjeçar. Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Rasti i katërt është raportuar sot paradite në qytetin e Obiliqit, rreth orës 10:04, ku në rrugën “Hasan Prishtina” është gjetur i varur një burrë rreth 50 vjeç. Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, hetuesia dhe mjeku i QKMF-së, i cili ka konstatuar vdekjen. Autoritetet kanë njoftuar se hetimet janë në vazhdim dhe priten të përfshihen edhe njësi të tjera relevante për zbardhjen e plotë të rastit./IndeksOnline/