E jashtëzakonshme, vrapoi 606 kilometra për 123 orë!
Arda Saatçi ka mahnitur botën e sporteve ekstreme pasi përfundoi me sukses një sfidë të jashtëzakonshme: 14 maratona brenda vetëm 123 orëve e 21 minutave.
Ultramaratonisti gjerman përballoi mbi 6 mijë metra ngjitje, temperatura përvëluese dhe mungesë të rëndë gjumi, duke kaluar nëpër Death Valley, autostrada shkretinore dhe segmente të rrugës historike Route 66, përpara se të mbërrinte në vijën e finishit në Santa Monica Pier.

Pas përfundimit të sfidës, Saatçi dha një mesazh frymëzues për më shumë se një milion ndjekës që e kishin ndjekur drejtpërdrejt në YouTube.
“Gjithmonë ia vlen të synosh yjet, edhe nëse gjërat nuk shkojnë në mënyrë perfekte. Sigurohuni gjithmonë ta mbani ëndrrën në zemër”, deklaroi ai mes emocionesh.

28-vjeçari u prit në finish nga nëna e tij dhe u hodh menjëherë në përqafimin e saj, ndërsa të dy festuan arritjen e jashtëzakonshme.
“Çfarë duhet të them? Ia dolëm. Vërtet ia dolëm”, tha Saatçi, i rraskapitur por ende pozitiv.
Ai falënderoi gjithashtu të gjithë mbështetësit që e ndoqën gjatë sfidës, si fizikisht ashtu edhe në rrjetet sociale.
“Është çmenduri sa shumë njerëz janë këtu për të më mbështetur. Mami, besoj se është koha ta festojmë me një akullore. Faleminderit shumë për gjithë mbështetjen, këtu dhe në rrjetet sociale. Kjo do të thotë gjithçka për mua”, përfundoi ultramaratonisti gjerman./Indeksonline/

