E.K. nga Peja dënohet me tri vite burg dhe 800 euro gjobë për vjedhje
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes/video-incizimit, ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.
Gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025.
“Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, meqenëse Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga aktakuza”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Aty thuhet se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim. /IndeksOnline/

