75 Mall Live Search
22:05 / E Hënë, 24 Nëntor 2025 / B XH

“E kam pa Zoran Kostiqin 20 metra larg”, dëshmitari rrëfen për masakrën e 22 majit 1999 në Vushtrri

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për krime lufte ndaj të akuzuarve Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të hënën është dëgjuar dëshmitari Naim Haliti, i cili përshkroi tmerrin që kishin përjetuar më 22 maj 1999 në Vushtrri, kur forcat serbe kishin hyrë në shtëpitë e tyre, i nxorën civilët me dhunë, i rrahën dhe i dërguan drejt varrezave të qytetit.

Dëshmitari Haliti deklaroi se e identifikoi qartë të akuzuarin Kostiq mes forcave serbe, rreth 20 metra larg tij, afër sallës së sporteve dhe lokalit të Hashanëve, ku civilët u mbajtën të lidhur me zinxhirë.

Në këtë rast, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq akuzohen se në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se më 22 maj 1999 kishte qenë në Vushtrri me familjen e tij. Tha se forcat serbe hynë në shtëpinë e tyre, i kërcënuan se do t’i vrasin nëse nuk dilnin, ua grabitën sendet nga xhepat dhe i nxorën jashtë me shqelma, duke goditur edhe nënën e tij.

Sipas Halitit, nuk i dëbuan nga shtëpia e Kariman Pacollit, por nga ana tjetër, pasi ata që shkonin atje nuk kishin mbijetuar. Tha se dy netë më herët kishte qenë në një vend tjetër.

“Pastaj ndodhi 22 maji ’99 kur hynë forcat serbe paralimtare edhe na hynë nëpër shtëpi, aty kanë qenë 12 orët ma të tmerrshme të jetës sime, na qitën jashtë, na shqelmun nanën, na kërcënuan se do iu gjuajmë- nëse nuk dalim. Na morën sendet që i kishim nëpër xhepa”, tha dëshmitari Naim Haliti.

Ai përshkroi se i dërguan në dyqan të personit me emrin Hashani, ku i lidhën me zinxhirë dhe i rrahën vazhdimisht. Sipas tij, ata ishin serbë lokalë, jo paramilitarë.

Gjatë rrugës drejt stacionit të vjetër të autobusëve, ai thotë se pa shtëpi të djegura të shqiptarëve dhe kufoma në rrugë, sikurse një të moshuar dhe një të ri.

“Na kan çu në shitore të Hashanit, na kanë lidhë me zinxhirë, secili që ka hy na ka goditë aty, kam përshtypjen se aty kanë qenë serbë lokalë, nuk kanë qenë paralimitarë… Gjatë rrugës pamë shtëpi të djegura të shqiptarëve. E kam pa një kufomë- një plak edhe një tjetër ma të ri, nuk e dija kush ishin”, deklaroi Haliti.

Për të akuzuarin Kostiq, Haliti tha se e njihte prej paraluftës nga fshati Prelluzhë, ku Kostiq merrej me shpërndarjen e ujit dhe djathit, dhe ishte një nga më të pasurit.

“Viteve ’80 ka qenë me distribuim qysh me thanë- ujë me djathë. Ka qenë ma i pasuni në Prolluzhë. Ka qenë koordinator i prodhimit, i krejt asaj ane në Prolluzhë me gjithë Dejanin më ’98-’99 edhe përgjimet që i bojshum na me radio-lidhje… thojshin zogi-zogi ku kanë me ru sot, ku neser”, deklaroi ai.

Dëshmitari pohoi se e pa Kostiqin atë ditë, pa uniformë dhe pa armë, por e identifikoi menjëherë për shkak të njohjes së familjes.

“Nuk muj me fol, e ma vonë e kam pa këtë të Naqallnikut, Simiqin dhe Zoran Kostiqin, djalin e Dinës e kam pa tu shku te salla e sporteve, aq ma poshtë se lokali i Hashanëve, 20 metra se u rujsha mos po na identifikon. I njoh unë Dinën- vëllain e mixhen e tij, fshatrat tona gravitetin e kemi në Prolluzhë dhe njihemi që 100 vjet”, deklaroi Haliti.

Haliti përshkroi më tej se në sallën e sporteve i mbajtën të lidhur, i goditën çdo orë dhe dëgjoi në radio-lidhje Zingjo Milloroviq t’i thotë komandantit Simiq “çomi te varret njerëzit”.

Pastaj ai thotë se i dërguan drejt varrezave, ku pa gjurmë gjaku dhe pjesë trupash para shtëpisë së Kariman Pacollit, ku kishin vrarë 110 gra dhe fëmijë.

Dëshmitari Haliti tregoi se dikush ia kishte futur në xhep Sh.D., 4 fishekë dhe kur i kontrolluan njesitë policore e ekzekutuan me 30 plumba para syve të tyre dhe djalit të tij.

Në atë moment, sipas dëshmitarit, hyri Dragan Miloviq (shef i hetimeve në Vushtrri) dhe e identifikoi Sh.D.

“Djali i Sh.D., na i mori çelësat e kerrit dhe më tha ku e ki Passatin, i thash në shtëpi time. Më tha hajde shkojna e marrim dhe shkum”, u shpreh Haliti.

Kur u pyet drejtpërdrejt për Dragan Miloviqin, dëshmitari Haliti tha që e kishte parë çdo ditë, por që s’mund të thotë që e kishte parë ditën kritike.

Prokurorja Florie Salihu prezantoi si provë certifikatat e viktimave dhe fotot e marra nga YouTube, ku shfaqet Zoran Kostiq.

Mbrojtja e të akuzuarve, avokatët Predrag Milkoviq dhe Muhamed Aliu kundërshtuan provat materiale të propozuara nga Prokuroria, mirëpo trupi gjykues i pranoi të gjitha ato.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, i akuzuari Zoran Kostiq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani gjatë një aksioni të mirë-organizuar, pasi që forcat serbe ishin vendosur në shtëpinë e Sh.Z, të cilën policia dhe ushtria serbe e ka shfrytëzuar si shtab, ditën kritike në ofensivën e ushtrisë serbe kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve tjerë të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, ishte edhe i akuzuari Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: I.U, M.U me bashkëshorte, B.U, F.U, S.U, F.U., (të familjes Ujkani) po ashtu në ditën kritike vriten edhe T.U me bashkëshorten H.U, dhe me qëllim për t’-i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani (këtë ngjarje e ka parë dëshmitari B.U).

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 22 maj 1999, i akuzuari Kostiq në bashkëkryerje me persona tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre, duke i detyruar të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit e duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku në atë turmë ishin pjesëtarët e familjes Dallku- M.D, A.D, F.D, E.D, SH.D, V.D, V.D,V.D, L.LL dhe tre persona me mbiemrin Haliti.

Gjatë rrugës për te varrezat e qytetit, polici serb M.C., i thotë të akuzuarit Kostiq “ti e din fare të bësh me kta” dhe aty fillojnë t’i rrahin civilët me mjete të forta si gyp metalik, shkopinj të fortë të drurit, kondak të automatikut e të tjera, pastaj i kanë urdhëruar të hyjnë në dyqanin e Rashanëve, ku aty ishin edhe tre persona tjerë civilë H.H, E.H dhe N.H, pastaj të njëjtit i kanë urdhëruar prapë që të dalin nga lokali dhe të nisen para shtëpisë së S.P., ku ishin edhe disa paramilitarë me uniforma ushtarake me ngjyrë të kombinuar, të cilët kishin armë të shkurtra dhe të gjata.

Aty thuhet se i akuzuari Kostiq i veshur me uniformë policore serbe e kishte pyetur një paramilitar tjetër serb “se a e doni edhe këtë grup” ku ishin rreth 12 veta, mirëpo njëri nga paramilitarët i kishte thënë se këtu ka përfunduar çdo gjë dhe vazhdoni diku tjetër, andaj vazhduan nëpër rrugë tjera për të shkuar tek varrezat e qytetit dhe para shtëpisë se dr. Ramadan Gjoni.

Aktakuza thotë se me të ardhur aty, Kostiq kishte urdhëruar civilët të mbështeten me fytyrë nga muri me duar lartë, dhe një moment polici Kostiq ishte afruar te viktima Sh.D dhe i kishte lënë në xhepin e djathtë të xhaketës katër- pesë fishekë të armës, dhe pas pak i urdhëron t’i nxjerrin gjërat që kishin me vete, ndërsa në atë moment Sh.D i nxjerrë nga xhepi fishekët, meqë rast Kostiq i thotë “ti po bartëshe fishekë për të vrarë policë” dhe e thërret një paramilitar që ishte pa flokë, i gjatë, i armatosur dhe me veshje ushtarake, armë zjarri të gjatë dhe të shkurtër, si dhe thika dhe aty ai i ndanë Sh, S veçmas, V., N., dhe E.H., duke i futur në shtëpinë e Gjoni së bashku edhe me dy paramilitarë tjerë, dhe pas pak kohe janë dëgjuar krisma armësh dhe ishte vrarë Sh.D, kurse V., e marrin katër paramilitarë me veturë pasi që e kishin marrë vesh se i kishte dy vetura në shtëpi ia marrin ato, ndërkohë kanë filluar bombardimet nga NATO e më pastaj të gjithë personat që ishin në varrezat e qyteti në Vushtrri aty janë shpërndarë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se më 24 maj 1999, i dëmtuari -dëshmitari V.L., pasi ishte ndarë nga familja nga forcat paramilitare serbe, ishte arrestuar dhe dërguar në stacionin policor në Vushtrri, për t’u marrë në pyetje. Aty i akuzuari Kostiq e ka goditur të dëmtuarin V.L me një mjet të fortë dy-tri herë mbrapa kokës, me arsyetim se “është një terrorist i UÇK- së”, i cili nga këto goditje alivanoset.

Më këtë, në bashkëkryerje i akuzuari Kostiq ngarkohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSF-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës” nga neni 146, par.1 dhe 2, nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Dragan Miloviq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në periudhën e luftës në Kosovë, bashkë me të tjerë me forcë i kanë dërguar diku 20 mijë banorë civilë të Vushtrrisë tek varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur e torturuar civilë, të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit, ku në mesin e tyre ishte edhe K.Sh., i cili e njihte tani të akuzuarin Miloviq dhe e lut të akuzuarin që ta shpëtojë, por i njëjti i thotë “s’kam ca me të ba”.

Pastaj, thuhet se i akuzuari Miloviq së bashku me disa policë serbë të armatosur fillojnë t’i ndajnë popullatën civile shqiptare, si dhe i detyrojnë që t’i vendosin duart e lidhura pas koke dhe të bien me gjunj në kokë për toke, duke i goditur vazhdimisht disa me bastun të hekurt, e disa me shkopinj druri dhe me kondaktë të armëve.

Aktakuza thotë se në atë turmë ishte edhe A.A, K.SH, H.K, F.B, M.M, S.R, T.F e të tjerë, ku K.SH dhe A.A e kishin parë tani të akuzuarin Miloviq që ka qenë i veshur me uniformë të policisë serbe dhe pajisje të policisë, duke i goditur pandërprerë këta civilë me shkop metalik e po ashtu duke i rrahur civilët me boksa dhe shqelma, ku të njëjtit kishin arritur ta identifikojnë të akuzuarin Miloviq.

Në aktakuzë thuhet se dëshmitari A.A., sa ishte në rresht në grumbullin e personave të grumbulluar, kishte dëgjuar një polic serb duke iu drejtuar tani të akuzuarit Dragan “ndalu çka je ka ban kështu se kta gja (lopë) nuk janë”, pastaj me dhunë i kanë hipur në kamionë dhe i dërgojnë në burgun e Smrekonicës, ku janë maltretuar në mënyrat më brutale, edhe nga kryerës tjerë dhe se pas disa dite qëndrimi në burg janë depërtuar në Republikën e Shqipërisë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 te KPRK, në kundërshtim me nenin e përbashkët 3 dhe 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 8 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.