E kapur në flagrancë gjatë vjedhjes – Arrestohet 45-vjeçarja në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në flagrancë një grua të dyshuar për veprën penale “Vjedhje”, pas një incidenti të ndodhur rreth orës 13:00 në një dyqan në veri të Mitrovicës, transmeton IndeksOnline.
E dyshuara, M.U., 45 vjeçe, ishte ndaluar nga sigurimi i dyqanit pasi kishte kryer një vjedhje. Pas verifikimeve, rezultoi se ndaj saj më herët ishte iniciuar edhe një rast tjetër për të njëjtën vepër penale në të njëjtin lokacion.
Sipas Policisë, në të dy rastet, e dyshuara kishte vjedhur produkte ushqimore dhe higjienike me vlerë rreth 70 euro. Ajo përdorte një metodë të përsëritur: gjësendet e vjedhura i fuste fillimisht në një çantë të brendshme, për t’i kamufluar më pas në një çantë tjetër, duke paguar vetëm një pjesë të artikujve në arkë.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, ajo ka pranuar veprat e kryera, duke konfirmuar se kishte vjedhur në të njëjtin dyqan.
Pas procedurave ligjore dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është vendosur që e dyshuara të lirohet në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe ndalimin e të gjitha veprimeve penale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.