20:58 / E Enjte, 04 Shkurt 2021 / G

E konfirmojnë nga Ministria e Shëndetësisë: Në fund të muajit COVAX sjellë vaksinat anti-Covid në Kosovë

Në mesin e muajit shkurt, eventualisht në javën e tretë, në Kosovë do të vijë kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19, përmes skemës së njohur si COVAX. Kështu po deklarojnë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, shkruan IndeksOnline.

Faik Hoti, drejtor i zyrës për komunikim në MSH në facebook, ka pohuar se 100800 vaksina do të shpërndahen në Kosovë në fund të këtij muaji.

“COVAX ka publikuar dje njoftimin sipas të cilit 100800 vaksina shpërndahen në Kosovë, në javën e fundit të këtij muaj”, ka komentuar Hoti në facebook.

E një deklaratë të njëjtë si të Hotit e ka dhënë gjatë ditës së djeshme edhe Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë.

Ajo thotë se janë dy prodhues me të cilët po bisedohet për t’i lehtësuar procedurat e ardhjes së vaksinave në Kosovë, por kontingjenti i parë i vaksinave do të jetë nga Universiteti i Oksford-it dhe kompania AstraZeneca.

Në raportin e publikuar më 3 shkurt nga COVAX, është thënë se Kosova do të furnizohet me vaksina të kompanisë AstraZeneca, ndonëse Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka siguruar ende vaksinën e kësaj kompanie.

Mes tjerash në raport është thënë se vaksinat për vendet pjesëmarrëse në program do të shpërndahen më 2021, por nuk është përmendur data fillestare e nisjes këtij procesi.

Kosova pritet të marrë vaksinën e kompanisë AstraZeneca, të prodhuar nga kompania jugkoreane, SK Bioscience.

Në mesin e të dhënave të publikuara shihet se OBSH-ja do të finalizojë bisedimet me këtë kompani për shpërndarje eventuale të vaksinave në mesin e muajit shkurt.

Përveç vaksinave nga COVAX, Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Megjithatë, kompania amerikane, Pfizer nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës.

Zyrtarët e saj kanë thënë vetëm se janë në diskutime për këtë çështje dhe se negociatat janë konfidenciale.

Sa u përket vendeve të rajonit, përmes skemës COVAX, Shqipëria pritet të furnizohet me 141,600 doza vaksine, Serbia 345,600, Bosnje-Hercegovina 177,000, Maqedonia e Veriut, 103,200 dhe Mali i Zi, 84,000.

Të gjitha këto vende do të furnizohen me vaksina të kompanisë AstraZeneca, përveç Bosnje-Hercegovinës, e cila do të përfitojë edhe një sasi të vaksinave të kompanisë Pfizer./IndeksOnline/