E konfirmon policia: Kadri Shala është duke u intervistuar

Gjatë ditës së sotme është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës, Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, kompani kjo e cila ishte e përfshirë në skandalin e dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë për IndeksOnline, se aktualisht Shala është duke u intervistuar dhe se të gjitha veprimet e mëtejme të policisë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë.
“Lidhur me rastin e poshtëshënuar, sot në Polici të Kosovës është vetedorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do ti ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, tha Kelani.
Theksojmë se, transferi i mbi dy milionë eurove kishte ndodhur më 9 tetor të këtij vitit, përderisa më 20 tetor, Policia e Kosovës në orët e mbrëmjes pas hetimeve të zhvilluara kishte arritur që ta arrestojë, Labinot Grudën, i cili ishte punonjës i Thesarit të Shtetit.
“Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, ditën kur ishte arrestuar Gruda.
Po ashtu të shtunën Policia e Kosovës kishte konfiskuar edhe tre vetura të familjes Shala në Llapushnik.