75 Mall Live Search
09:40 / E Martë, 08 Dhjetor 2020 / OSH

E mbani mend Jekson Martinez? Bën mbylljen më të çuditshme të karrierës, gjeti pasionin tjetër

Jekson Martinezi ka bërë një mbyllje më të shpejtë nga çfarë ishte planifikuar sa i përket karrierës së futbollit. Djaloshi i ardhur nga Independiente Medellin do të vinte në Evropë, duke e provuar aventurën te Porto. Pas shkëlqimit të arritur në Portugali, do t’ishte ekipi i Simeonesit, që derdhi 35 milionë euro për ta blerë kartonin e tij. Më pas do të niste edhe një tjetër transferim, duke përfunduar te Gunagzhou Evergrande për 42 milionë euro.

Klubi i tij i fundit ishte Portimonense në Portugali, atje ku realizoi 12 gola në 52 ndeshje. Ajo që duhet theksuar është fakti se Martinezi ka pasur gjithmonë vëmendjen e klubeve të njohura në Evropë. Por arsyeja se përse 34-vjeçari ka zgjedhur që të përfundojë karrierën është shumë e veçantë. Kur lojtarët dëmtohen kalojnë edhe pjesën më të vështirë të jetës së tyre, duke pritur me padurim që të kthehen në fushën e lojës. Por gjatë dy dëmtimeve të rënda dhe operacioneve që i ka kryer Martinezi, do të gjente pasionin e ri.

Kështu do të niste që të shkruante dhe kompozonte, për t’i nisur ideja e hyrjes në muzikë. Dhe kështu fillimi i karrierës në skenën muzikore solli edhe fundin në karrierën futbollistike. Nëpërmjet një postimi të fundit në Instagram, Martinezi i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij, duke dalë përfundimisht nga futbolli.