75 Mall Live Search
21:39 / E Enjte, 24 Korrik 2025 / Z S

E mbijetuara nuk e dëgjoi paralajmërimin për vrasjen e burrit

Njëra ndër gratë që ka gjetur forcën të rrëfejë se si u dhunua seksualisht nga kriminelët serb po vazhdon historinë e saj në studion e “Debat Plus” në TV Dukagjini.

Nga fëmijëria e hareshme dhe dashuria e babait, lufta e fundit në Kosovë e gjeti nënë të dy fëmijëve dhe shtatzënë me fëmijën e tretë. E në atë gjendje, familja u nis drejt qyteteve të tjera në kërkim të sigurisë.

 “Më i madhi ka qenë 10. Ma e vogla 2 vjeçe dhe kam qenë shtatzënë… Kur na kanë përzanë herën e parë, nuk na kanë ndjek. Kemi dalë kemi shku kemi ndejtë diku në ****. Masanej, edhe prej atje i kanë përzanë krejt ku kem ndejtë, edhe atë familje edhe kemi dalë kena shku kena ndejtë në ****”, ka treguar ajo.

“U pat nis lufta në *****, atëherë veç na kanë përzanë krejt. Atëherë u kena pas dalë për Mal të Zi, dulum qysh dulum si na edhe prapë jemi kthy. Veç na kanë ndjek, na kanë përzanë sikur shtazë e jo me kanë njerëz. Veç kemi këqyr qysh me shpëtu se i kam pas edhe fëmijët e vegjël”, rrëfen ajo.

Megjithatë, rrugën për në shtëpi e morën prapë me rastin e hyrjes së OSBE-së në Kosovë. Por as në shtëpi të qetë nuk ishin.

Familjes së tyre i kishin ardhur paralajmërime nga fqinjët se serbët, donin t’ia vrisnin bashkëshortin.

“Jemi kthy apet në shtëpinë tonë, në vendin tonë. Kemi nis prapë me kriju jetën, në vendin tonë, me punu, me mbet gjallë, sa me hangër bukë edhe ka ardh një person aty është kojshi…Dejan Rashiq…Ka shku mas pari te një kojshi, te një kumar i afër i joni i ka thanë: Kush është prej kësaj familjeje këtu në Kosovë? Ka thanë është filani me familje. I thotë: ‘Veç mos mujsha pa e zanë se pa e myt se la”.

E mbijetuara ka treguar se bashkëshorti i saj nuk kishte asnjë histori paraprake zënkash me fqinjin serb.

Por, familja e të mbijetuarës, nuk i kishte dëgjuar paralajmërimin e komshiut e kjo, asaj që e morri porosinë i kishte kushtuar më së shumti./Indeksonline/