E mposhti dy herë kancerin, portierja që çoi Gjermaninë në gjysmëfinale

Gjermania është në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian në kategorinë e femrave.
Kjo pasi arritën që pas penalltive ta mposhtin Francën me rezultat 6:5, me ndeshjen e rregullt që përfundoi 1:1.
Ndër më meritoret padyshim që është edhe portierja Ann-Katrin Berger.
Ajo i priti dy penallti, derisa një e shënoi vetë.
34 vjeçarja që e kishte mposhtur dy herë kancerin, tregoi shpirtin e saj luftarak edhe brenda fushës së gjelbër.
Gardianja e portës, jeton me moton “Gjithçka që kemi është tani”, dhe këtë e tregoi të shtunën, duke bërë një pritje të pabesueshme për të shmangur një autogol në pjesën e dytë dhe më pas duke çuar ekipin e saj në gjysmëfinale, ku do të përballet me Spanjën në Cyrih të mërkurën.
“Nuk isha e lumtur që shkuam deri te penalltitë sepse do të kisha dashur ta fitonim ndeshjen për 90 minuta dhe ta mbyllnim,” u tha Berger gazetarëve.
Ajo më pas pati edhe lëvdata për skuadrën e saj.
” Mendoj se merita i takon ekipit, jo mua, sepse ndoshta ajo (pritja ime) ishte momenti vendimtar te penalltitë, por ne, të gjithë këtu, duhet të flasim tani me trajnerin (Christian Wueck) për paraqitjen e ekipit, sepse ishte e jashtëzakonshme”, shtoi Berger.