E pabesueshme, Ante Rebic me statistika të njëjta me Ronaldon

Pas disa muajsh anonim dhe mister, në fillim të këtij viti Ante Rebic doli në skenë dhe mori Milanin mbi supe.
U desh që kuqezinjtë të afronin Ibrahimovic për t’i dhënë shkëndijën një tjetër ballkanasi për të treguar vlerat.
Madje, Milani ishte gati duke e kthyer në Gjermani te Frankfurt, por Boban dhe Maldini i besuan deri në fund dhe tani kuqezinjtë po korrin frytet e besimit.
Sërish një gol me peshë dhe festim normal, nënkampioni i botës e ka rinisur sezonin ashtu si e la përpara pandemisë. Madje, 2020 shfaqet me numra të tmerrshëm: 8 gola në 9 ndeshje. Mesatare e frikshme.
Kjo mund ta shtyjë Eintracht Frankfurtin ta mbajë fort, edhe pse huazimi te Milani mbaron në qershor 2021 dhe ka kohë që klubet të bien dakord mbi kartonët, duke qenë se edhe Andre Silva i intereson gjermanëve. Ndërkohë, Tuttsport e krahason me Cristiano Ronaldon. Në fakt, sipas statistikave Rebic vjen menjëherë pas Ronaldos për gola të shënuar dhe ajo që ia vlen për t’u nënvizuar është se kroati nuk godet asnjë penallti në ndryshim nga portugezi që këtë sezon ka shënuar 9 herë nga pika e bardhë.
Mesatarja e golave është 1 gol çdo 79 minuta për kroatin dhe 1 gol çdo 69 minuta për pesë herë fituesin e Topit të Artë.