75 Mall Live Search
11:08 / E Enjte, 04 Prill 2024 / mp

E pabesueshme! Kaiserslautern mund të shkojë në Kupat e Europës, por edhe të zbresë nga Bundesliga 2

Nëse do të ekzistonte akoma Kupa e Kupave, Kaiserslauterni do ta kishte tashmë të garantuar vendin në këtë kompeticion për sezonin e ardhshëm. Edhe pse në nivel kombëtar, në rastin më të mirë, do të siguronte qëndrimin në Bundesligën 2.

Po, sepse kur kanë mbetur 7 ndeshje deri në fund të divizionit të dytë, skuadra në fjalë është e treta nga fundi në renditje dhe e detyruar të shkojë në “play out” për të mos rënë nga kategoria.

Ky është paradoksi i “Roten Teufel” (nga gjermanishtja “Djajtë e Kuq”), që arritën në finalen e “DFB-Pokal”. Në rrugëtimin e tyre deri në finale e Kupës së Gjermanisë patën fatin të sfidonin vetëm një ekip të Bundesligës, Këlnin, në 1/16 finale, por megjithatë eliminuan skuadrat e Bundesligës 2 si Nuremberg dhe Hertha Berlin.

Në gjysmëfinale eliminuan Saarbrucken, përrallën më të bukur të këtij edicioni. Më 25 maj, në “Olympiastadion” të Berlinit do të përballen me Bayer Leverkusenin e pathyeshëm, të drejtuar nga Xabi Alonso. Verdikti është i qartë në letër, por ndoshta “Aspirinat” do të dështojnë një ditë.

Kaiserslauterni ka bërë disa surpriza të bujshme në të kaluarën. Më e pabesueshmja është ajo e Bundesligës 1997-1998, të cilën e fitoi si ekip i sapongjitur në elitë, përpara Bayernit të Giovanni Trapattonit. Ato ishin ditët e Otto Rehhagel në pankinë dhe Olaf Marschall, që shënonte me “breshëri”.

Me kalimin e viteve, nisi rënia, me pjesëmarrjen e fundit në Bundesligë më 2011-2012. Në vitin 2018 ndodhi rënia më poshtë, një “ferr” 4-vjeçar përpara se të kthehej në Bundesligën 2. Sot, pavarësisht mijëra vështirësive, Kaiserslauterni ka një rekord shikuesish që e endërrojnë si fitues të Kupës së Gjermanisë dhe sa më shpejt ngjitje në Bundesligë.