75 Mall Live Search
18:36 / E Hënë, 31 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

E pabesueshme, por i gjithanshmi Armend Dallku ka qenë edhe… portier

Armend Dallku njihet për sigurinë që e ka shfaqur gjatë karrierës së tij në mbrojtje, duke luajtur disa vite si mbrojtës i djathtë e më pas edhe qendërmbrojtës, pozitë të cilën e mbulon edhe tash.

Mirëpo futbollisti vushtrrias e ka zbuluar një rast të rrallë kur kishte sakrifikuar duke u futur në portë.

Për fatin e tij të mirë, Vorskla Poltava, të cilën e përfaqësonte në atë kohë, nuk kishte pësuar gol në ata minuta sa mbrojti futbollisti aktual i FC Prishtinës.

“Ishte viti im i fundit në Ukrainë dhe ishim duke luajtur për kualifikime në grupe të Europa Leagues me ekipin Zilno. Në ndeshjen e parë humbëm 2:0 atje, ndërsa në 10 minutat e fundit hyra portier sepse i kishim bërë tri zëvendësime dhe nuk kishim të bënim më. Pra për ata 10 minuta nuk pësova gol. Ndërsa në ndeshjen e kthimit ne e rikthyem rezultatin. Fituam 2:0 në lojën e rregullt dhe shkoi loja në vazhdime. Më pas u bë 3:0 për ne dhe kundërshtari u hodh krejt në sulm. Ne kishim disa raste dhe nuk e bëmë golin e katërt dhe kjo na kushtoi. Në sekondat e fundit na shënuan gol dhe na eliminuan. Imagjinojeni çfarë ndjenje e keqe ishte kjo”, ka treguar veterani i mbrojtjes në emisionin “90 Plus”.

Gjithashtu ai ka folur edhe për sezonin në Superligë, duke insistuar se prishtinasit janë të vendosur ta fitojnë titullin e kampionit këtë edicion.

Gjithashtu, ish-përfaqësuesi i Kombëtares shqiptare ndihet mirë që është pjesë e mbrojtjes së çeliktë të Bardhekaltërve, të cilët kanë pësuar vetëm katër gola në 17 ndeshjet e zhvilluara në kampionat gjatë vjeshtës.