“E paimagjinueshme”, ish-shefi i SHISH-it tregon për takimin e parë UÇK-CIA në Tiranë: Premtuan që s’do të financoheshin nga islamikët

Fatos Klosi, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH) tregoi për një takim të përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përfaqësues të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) në Tiranë në pranverën e vitit 1998.
Në shkurt të ’98-tës, CIA, që po e vëzhgonte aktivitetin e UÇK-së në Kosovë, i kishte kërkuar Klosit një takim të drejtpërdrejtë me përfaqësues të kësaj ushtrie guerile. Takimi i CIA-UÇK pasonte një takim që kreu i shërbimit sekret shqiptar e kishte pasur vetë me drejtues të ndryshëm të UÇK-së.
Klosi tha mbrëmë në Opinion në TV Klan se takimi me CIA u mbajt në zyrën e shërbimit sekret shqiptar, pranë spitalit në Tiranë.
Me UÇK-në, Klosi tha se vetë kishte kontakte që para daljes publike më 1997. “Njerëzit e UÇK-së ishin në Tiranë. Xhavit Haliti ka qenë njeriu më i rëndësishëm”, tha ai.
“Sigurisht që biseduam. Unë mbas takimit të parë me UÇK-në unë fola me ta (CIA). U thashë kështu, kështu, kam pasur këtë rast. U interesuan natyrisht dhe e quajtën një gjë të mirë që shërbimi jonë pati kontakt me ta (UÇK-në)”.
Klosi tha se amerikanët “donin të kishin informacione”.
“Isha njohur unë më përpara (me UÇK-në). Kisha krijuar opinione shumë pozitive për seriozitetin e tyre, edhe për veprën që kishin në mendje. Natyrisht mua më takonte t’i përkrahja dhe pastaj unë bisedova me partnerët tanë këtu në Tiranë (CIA). U thashë kështu, kam patur këtë rast. Ua tregova opinionet e mia dhe ata kërkuan pastaj ‘a mund ta bëjmë një takim?’. Po more, u thashë”.
Në takim, Klosi tha se “ishin dy përfaqësues të UÇK-së dhe shefi i shërbimit amerikan”.
“Shqetësimi ishte që… i quajtën që në fillim çlirimtarë. Që në fillim. Bile edhe e vazhduan këtë. Unë kam konstatuar që kishte indiferencë goxha të madhe midis opinionit nga CIA dhe opinionit që u detyrua ta mbante Departamenti i Shtetit. Nuk e di nëse ishte i vërtetë ai opinion apo jo, por si u shfaq… Mediat ndërkombëtare që patër rezerva, bile patën deklarata terroristësh e më the e të thashë. CIA që në fillim ishte shumë e qartë. Sigurisht që ishte e informuar për UÇK-në, por kontakti jonë e bëri një rrugë më direkte të informimit gjersa ai kërkoi takim direkt me ta”, tha ai.
Klosi përmendi disa prej shqetësimeve kryesore që u diskutuan në atë takim.
“Problemet kryesore ishin – të paktën në ato që u diskutuan që në fillim – që financimi të mos kishte të bënte me krimin, me trafiqet e më the e të thashë, se kishin idenë që kosovarët ishin të shkathët në atë kohë me trafiqet, se kishin lidhje me gjithë Europën, kishin njerëz, kishin korridoret hapur, që ne s’i kemi pasur dhe për këtë u quajt fare e natyrshme dhe e kollajshme. Premtuan që në fillim që ‘nuk kemi financime të tilla, financimet janë vetëm nga kosovarët kryesisht në mërgim’… E dyta ishte problemi i madh i faktit që të mos quheshin terroristë. Ishte që s’duhet të kishte asnjë vepër ushtarake jashtë Kosovës”, tha ai.
Në takimin e parë, ishin bërë “disa përkufizime”, kujton ish-kreu i SHISH-it.
“Njëri pra, thashë, financimi, e dyta, luftë terrorizmi – po i bie shkurt unë tani – dhe e treta ishte… nga eksperienca e Bosnjës – nuk e thanë të prerë, por ne e morëm të prerë dhe u premtuam që nuk do kishte pranim të ndihmave nga islamikë”, tha ai.
Klosi tha se kishin bashkëpunim të hapur me CIA.
“Një gjë më besoni, që ishim edhe ne edhe ata shumë të hapur dhe të sinqertë. Sepse e kuptuam që të dyja palët kishim interes. Ne kishim interes Kosovën, ata kishin interesa Serbinë bashkë me Kosovën, kështu që nuk kishte asnjë vend për të mbajtur ndonjë rezervë. Ishim, po ta them, të hapur fare”.
Ai tha se CIA s’kishte shprehur asnjëherë asnjë vërejtje për UÇK-në
“Absolutisht jo. Ishin komplet partnerë. Ishin sikur të ishin pjesë e jona dhe ne pjesë e tyre o burrë. Ishte një eveniment i jashtëzakonshëm që kurrkush s’e kishte imagjinuar”, tha Klosi.
Por me kë nga UÇK takoheshin më pas përfaqësuesit e CIA?
“Shiko, me të gjithë është takuar. Me të gjithë. Me të gjithë ata që ishte e mundur. Me ata që mund ta kalonin kufirin”, tha Klosi.
CIA s’kishte nevojë të depërtonte direkt brenda territorit të Kosovës, tha ai.
“Nuk di ta them, por nga ajo që unë di, jo, s’kishte nevojë. Ishim ne në Tiranë…”