75 Mall Live Search
15:32 / E Enjte, 05 Maj 2022 / B O

E pandalshme, malazezja që luan për Kosovën me paraqitje fantastike në dy finalet

Beku Natalija Milatoviq ishte prej lojtareve më të mira të Istogut në serinë finale të plejofit, por edhe gjatë gjithë edicionit.

Istogu të mërkurën e fitoi titullin e kampionit të Kosovës në hendboll, të dytin në histori.
Istogaset i fituan të dy ndeshjet finale ndaj Ferizajt.

Titullin e festuan pikërisht në Ferizaj. Milatoviq në të dy ndeshjet finale shfaqi nivel të lartë.

Në një intervistë për Indeksonline, Milatoviq ka treguar planet e saj për të ardhmen. 20 vjeçarja nga Mali i Zi që luan për përfaqësuesen e Kosovës ka thënë se është shumë e lumtur me jetën në Istog dhe se ka edhe një vit kontratë me kampionët e hendbollit.

“Kam edhe një vit kontratë me KHF ISTOGU. Plani im është që të rritem edhe më shumë si lojtare këtu dhe më pas të shoh se çfarë do të jetë më e mira për të ardhmen dhe karrierën time. Jeta në Istog është shumë e mirë. Ndonjëherë ndihem sikur jam në shtëpi. Qytet kaq i qetë me njerëz që janë të mirë dhe që na respektojnë shumë” ka thënë hendbollistja malazeze.

Milatoviq ka thënë se ka një atmosferë tejet të mirë në skuadrën istogase duke filluar nga trajneri dhe tek bashkëlojtarët e saj.

“Nga trajneri tek vajza më e re në skuadër japim gjithë të mirën. Dhe kjo nuk është vetëm mbrëmë. Ne gjithmonë japim maksimumin dhe se titulli është shpërblim për këtë” ka thënë Milatoviq.

20 vjeçarja malazeze ka qenë e pandalshme në dy ndeshjet finale dhe se ka qenë tejet e motivuar për titull.

“Gjithmonë përpiqem të jap më të mirën nga vetja. Gjatë gjithë vitit kam punuar shumë për këto rezultate. Pata mbështetje të madhe nga trajnerit dhe gjitha lojtaret e skuadrës dhe mendoj se e arsyetova besimin e tyre” ka thënë Milatoviq.