14:31 / E Premte, 03 Gusht 2018 / indeksADMonline

E papritur: Ricciardo largohet nga “Red Bulli”

Një surprizë e papritur vjen nga bota e Formula 1, Red Bulli komunikoi se piloti Daniel Ricciardo do të lërë skuadrën pas përfundimit të këtij sezoni.

Drejtuesi i Red Bull Christian Horner tha se e respektojnë vendimin e pilotit, duke i uruar më të mirën për të ardhmen. Ky vendim erdhi si surprizë për të gjithë, sepse mendohej se piloti australian do të qëndronte me ekipin që debutoi në vitin 2008, kur hyri në ekipin e të rinjve. Qysh nga debutimi i tij me Red Bullin, në vitin 2014, Ricciardo ka arritur të fitojë 7 gara dhe në 29 raste të jetë në podium.

Horner gjithashtu shtoi se do të vlerësojnë shumë mundësi se kush mund të jetë shoku i skuadrës me Max Verstappen sezonin e ardhshëm, por për momentin do të përqendrohen te garat e mbetura për këtë kampionat. Mbetet për t’u parë gjithashtu se cila do të jetë e ardhmja e vetë Ricciardos, duke mos harruar se as Kimi Raikkonnen nuk ka rinovuar me Ferrarin.

Menjëherë pas largimit nga Red Bull, Daniel Ricciardo iu ka bashkuar skuadrës tjetër në Formula 1, Renault. /IndeksOnline/