E reja nga Gjilani deshpërohet me padrejtësitë në vend, nuk i mjafton as Masteri i Mjekësisë për t’u punësuar në Spital

Një studente e dalluar e Fakultetit të Mjekësisë ka hequr dorë nga çdo tentativë e metutjeshme për t’u punësuar në Kosovë.
Lirie Salihu, e reja nga Gjilani, përmes një postimi në Facebook ka shpërfaqur sfidat e pothuajse shumicës së të rinjve kosovarë, e që është ajo e punësimit.
Ajo thotë se nuk ka mjaftuar nota 5.0 e saj në shkollë të mesme të mjekësisë, as ajo 9.34 e Bachelorit në Universitet e të Prishtinës e madje as 9.54 e Masterit të Mjeksësisë në po të njëjtin Universitet, për t’u punësuar.
Lirija ka ndarë me miqtë e saj në Facebook njohuritë e saj të gjuhëve të huaja si dhe pervoja me mjekë ndërkombëtarë, por që sipas saj nuk ka mjaftuar për t’u pranuar në konkursin e shpallur nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit.
“Kosovë, nuk paska qenë i mjaftueshëm vlerësimi i profesorëve në Universitetin e Prishtinës e per ironi në konkurse sikur këto në Spitalin e Gjilanit une përpara duhet ta kem një kryesuese të komisionit me nivel Bachelor Ekonomik në Kolegj privat e cila shumë mirë “ka ditur të bëjë kalkulimet” gjatë “vlerësimit” në intervistë!” ka shkruar ndër të tjerash ajo.
Salihu thotë se nuk do të tentojë më të punësohet në Kosovë, e cila dita-ditës e ka shtyer drejt Evropës.
Ky është postimi i plotë i saj:
Unë po iki Kosovë , nuk po të duhem ty!
Nuk qenka mjaftueshëm niveli im i shkollimit, puna dhe djersa ime për ty Kosovë.
Nuk qenka mjaftueshëm nota ime (5.0) në shkollën e mesme të mjekësisë.
Nuk qenka mjaftueshëm diplomimi im Bachelor në Universtitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina ” me notë mesatare (9.34).
Nuk qenka mjaftueshëm studimet në nivelin Master poashtu në Universitetin e Prishtinës me notë mesatare (9.54).
Nuk qenka mjaftueshëm se gjatë gjithë studimeve kam qenë bursiste si studente e dalluar.
Nuk qenka mjaftueshëm njohja e gjuhëve të huaja deri në nivel B1.
Nuk qenka e mjaftueshëm edhe pervoja ime si infermiere me doktorët më të mirë në rajon dhe më gjerë.
Kosovë , nuk paska qenë i mjaftueshëm vlerësimi i profesorëve në Universitetin e Prishtinës e per ironi në konkurse sikur këto në Spitalin e Gjilanit une përpara duhet ta kem një kryesuese të komisionit me nivel Bachelor Ekonomik në Kolegj privat e cila shumë mirë “ka ditur të bëjë kalkulimet” gjatë “vlerësimit” në intervistë!.
Kosovë , une kurrë nuk do të bëhem pjesë e pazareve dhe vegël e askujt për një vend pune por padrejtësinë do ta luftoj dhe kundërshtojë.
Kosovë , unë pata edhe një shpresë për të qëndruar në vendlindjen time , të jap kontributin dhe dijen time që kam marrë nga instucionet arsimore tua.
Por këtë mundësi që nuk e pata unë shpresoj që në të ardhmen do ta kenë familja, kolegët e mi dhe e gjithë shoqëria e këtij vendi.
Kosovë, unë po nënshkruaj për të lën ty sepse ma shuajtën edhe shpresën e fundit.
Kosovë, mua po më pret Europa por unë të prita ty!
Lamtumirë Kosovë !
