75 Mall Live Search
14:19 / E Martë, 01 Korrik 2025 / H F

E rëndë, 88-vjeçari me demencë dhunohet nga kujdestarja disa ditë para vdekjes

Pamje tronditëse të kamerave të sigurisë kanë dalë në Britani, të cilat tregojnë abuzimin e një burri të moshuar me demencë nga gruaja që ai kishte punësuar për t’u kujdesur për të.

Videoja tregon 42-vjeçaren Bilikesu Olagundzu duke zvarritur me dhunë 88-vjeçarin John Attard, duke e kërcënuar dhe duke e trajtuar poshtërsisht gjatë vizitës së saj në shtëpinë e tij në Kent në prag të krishtlindjeve të vitit 2022.

Imazhet rrëqethëse u kapën nga një kamera e instaluar në shtëpi nga djali i viktimës, Chris. Të nesërmen, babai i tij u gjet pa ndjenja, me gjakun që i rridhte në fytyrë. I moshuari u dërgua me urgjencë në spital, ku qëndroi dhe vdiq dhjetë ditë pas incidentit.

Në gjyqin e saj të fundit në Londër, Olagundzu u deklarua fajtore për një akuzë për keqtrajtim ose neglizhencë të qëllimshme të një personi të cenuar, ndërsa punonte si kujdestare. Ajo u dënua me gjashtë javë dënim me kusht dhe u urdhërua të kryente 50 orë shërbim komunitar, një dënim që familja e viktimës e quajti skandaloz.

Duke folur pas gjyqit, Chris Attard shpjegoi se ndërsa ekzaminimi pas vdekjes nuk vërtetoi një lidhje të drejtpërdrejtë, ai ishte i bindur se veprimet e Olagundzus kishin kontribuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e shëndetit dhe vdekjen e babait të tij. “Nëse nuk do të ishin kamerat, ky person mund të kishte vazhduar t’i trajtonte të moshuarit në këtë mënyrë”, tha ai. “Prisja një dënim tjetër, por kohëzgjatja dhe numri i orëve të shërbimit komunitar janë një fyerje. Çfarë lloj mesazhi dërgon kjo?” pyeti ai.

Videoja e skenave rrënqethëse të shfaqura në gjykatë fillon kur Olagunju mbërrin në shtëpinë e viktimës në orën 11:20 të mëngjesit për të larë z. Attard dhe për t’i përgatitur mëngjesin. Pasi i bërtet të ngrihet, ai rrëshqet në dysheme dhe gruaja më pas fillon ta zhveshë atë para dritares.

Kujdestarja shihet duke e zvarritur atë nga krahu dhe jaka, duke e tërhequr fort.

Në një moment, ajo dëgjohet duke telefonuar punëdhënësin e saj dhe duke thënë se z. Attard ka rënë në dysheme. Asaj iu dha udhëzim të mos e prekte dhe të thërriste një ambulancë, por ajo e injoroi dhe vazhdoi ta tërhiqte lart vetë, duke u ankuar se “duhet të kishin dërguar një burrë për të bërë punën”.

Chris Attard tha se ishte i tronditur kur pa se sa i shqetësuar ishte babai i tij, duke e përshkruar fytyrën e tij si “të shtrembëruar” nga dhimbja.

“Ajo përpiqet ta ngrejë sikur të mos ishte qenie njerëzore, por një kukull lecke. Fytyra e tij tregon shqetësimin dhe dhimbjen që ai ndjen… Ajo e ngre nga dyshemeja, e tërheq drejt kolltukut të tij”

Kujdestarja dëgjohet duke e kërcënuar disa herë burrin, duke i thënë se do ta rrihte me kamzhik, se do ta çonte në spital për një injeksion ose se do të telefononte policinë për ta arrestuar. Z. Attard i thotë vazhdimisht: “Po më lëndon.”

Në pamjet filmike, ajo shihet gjithashtu duke i përgatitur mëngjesin ndërsa vazhdon ta kërcënojë, duke i hedhur reçel në kafe (edhe pse ishte diabetik), duke ia larguar tavolinën e kafesë, duke ia vështirësuar ushqyerjen dhe duke i hedhur kafe të nxehtë.

Fjalët e saj të fundit drejtuar tij, ndërsa dilte nga shtëpia, ishin përsëri një kërcënim: “Hej, do të të denoncoj në polici”, i tha ajo para se të mbyllte derën pas saj/ Dailymail.