75 Mall Live Search
10:55 / E Mërkurë, 17 Qershor 2026 / KV

E rëndë: Humb jetën një 17-vjeçar në aksidentin në rrugën Carralevë–Komoran

Një aksident tragjik trafiku i ka marrë jetën një të mituri në rrugën Carralevë–Komoran, transmeton IndeksOnline.

Viktima është një 17-vjeçar, i cili fillimisht kishte mbetur i lënduar rëndë si pasojë e aksidentit, por më pas nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes tregojnë një veturë të shkatërruar nga përplasja, ndërsa qytetarët kanë tentuar t’i ofrojnë ndihmën e parë të riut para mbërritjes së ekipeve emergjente.

Rasti është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 09:00, kemi pranuar informatën se në rrugën Carralevë–Komoran ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet”, ka deklaruar Ahmeti.

Ajo ka bërë të ditur se si pasojë e aksidentit, ngasësi i automjetit nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

“Si pasojë e aksidentit ngasësi i automjetit nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka vdekur. Vdekja e viktimës (mashkull), i mitur, është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK”, thuhet në konfirmimin e Policisë.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat që çuan në këtë aksident fatal./IndeksOnline/