E rëndë në Elbasan! Vëllai godet me thikë vëllain
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan, ku vëllai ka goditur me thikë vëllain e tij pas një konflikti për motive të dobëta. Policia njofton se 46-vjeçari i lënduar ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e qytetit, ndërsa është vënë në pranga edhe autori.
“Pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Rajonal Elbasan ishte paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, një 46-vjeçar, me dëmtime të shkaktuara me mjet prerës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të rastit. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u kap dhe u arrestua në flagrancë autori i dyshuar, shtetasi B. H., 35 vjeç, banues në fshatin Labinot-Fushë, i cili dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë), në dorë, vëllain e tij, shtetasin A. A., 46 vjeç, për motive të dobëta. I dëmtuari është jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.
Gjatë kontrollit në banesën e 35-vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan thika me të cilën dyshohet se ka kryer krimin dhe disa fishekë arme gjahu.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

