17:16 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

E rëndë: Pacientët kërkojnë trajtim jashtë vendit, QKUK pa material të protezave qe tri vite

Pacientët të cilët kanë mungesë të ndonjë gjymtyre të trupit po përballen me një gjendje jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë.

Kështu, Qendra  Ortoprotetike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka disa vite që nuk po furnizohet me material për proteza të pacientëve.

Burime të Indeksonline brenda kësaj qendre bëjnë të ditur se punëtorët në këtë klinikë që janë 16,17 prej tyre nuk po kanë material që të punojnë.

Me këtë rast, të njëjtit që tri vite janë pothuajse të papunë  për faktin se s’kanë material.

Sipas po të njëjtav burimeve, mësohet se që tri vite nuk ka furnizim të materialit për proteza, ndërsa që dy vite punëtorët në këtë klinikë kanë mbetur pa material.

Ndërkaq,  një lexues i Indeksonline që ka dashur të mbetet anonim ka treguar një rast që i ka disa persona në familje të cilët  kanë nevojë për proteza të ndryshme, mirëpo gjatë kësaj perudhe kohore ata nuk dine se ku të drejtohen.

“Unë kam në familje dy persona të cilët kanë nevojë njëri është me dy amputime dhe tjetri me një amputim pra kanë nevojë për 3 proteza. Kam provuar që të drejtohem në QKUK përmes Qendres Ortoprotetike mirëpo ata që disa herë më kanë thënë se nuk kemi material. Unë po detyrohem që të kërkojë trajtim jashtë Kosove për ta bërë protezën në mënyrë që të më krijohen kushtet më të mira shëndetësore”, ka thënë lexuesi në kushte anonimiteti.

Më tej, kompania e fundit që ka pasur tenderin për furnizimin e protezave kishte kryer këtë punë për afër 12 vite.  Kjo kompani kishte pasur për detyrë që të furnizojë me 120 mijë euro material. Por, i njëjti gjatë këtyre vite e ka bërë vetëm gjysmën e kësaj shifre.

Pas shkëputjes së kësaj kompanie tani QKUK është në pritje se kush do ta fitojë tenderin për furnizimin e materialit të protezave.

Ndërkohë, Indeksonline ka dërguar pyetje  në address  elektronike dikasterit të shëndetësisë për të mësuar  se si qëndron kjo çështje tek ta, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm në këtë aspekt.

Kujtojmë se Minsitria e Shëndetësisë kishte njoftuar se ka furnizuar Klinikën e Ortopedisë të QKUK-së me proteza totale në vlerë prej 210 mijë euro. Ndërsa sa i përket asaj Ortoprotetike mbeten në gjumë.

“Materiali specifik përmbanë protezat  totale për kërdhokulla dhe gjunjë. Përmes këtij materiali do të bëhet i mundur vendosja e protezave për pacientë, në mënyrë që të mos ketë nevojë për referim të pacientëve jashtë institucioneve publike”, thuhej më parë në përgjigjen e MSH-së./Indeksonline/Ardian Beka/