E rrahu gruan me grushte e shkelma – një muaj paraburgim për prizenasin

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit F.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka
kryer veprën penale: “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 par. 3 nën par. 3.1. lidhur me par. 1 të Kodit penal dhe shkelja e urdhrave mbrojtës, nga neni 25 par. 1 dhe 2 të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit F.B., ka
vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
Ditën kritike, (01 mars) në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri F.B., të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, fillimisht e ofendon me fjalë, e më pas edhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grushte në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, e kap për flokësh dhe e godet me shkelëm në këmbë, me të cilat veprime të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore.
Po ashtu, nga provat dhe faktet e lartcekura rezulton se po atë ditë i
pandehuri F.B., me qëllim e shkel në tërësi urdhrin për mbrojtje të lëshuar nga të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, sipas të cilit urdhër të pandehurit është ndaluar që palën e mbrojtur, të dëmtuarën bashkëshorten e tij, që të mos e shqetësonte, ofendonte, përulte, godiste, kërcënonte dhe sulmonte fizikisht, mirëpo i pandehuri shkel urdhrin e tillë të përshkruar me veprimet si më sipër.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e
mëtejme të procedurës penale. Gjyqtari i procedurës – Luan Berisha kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do t’i llogaritet prej 01.03.2021 deri më 01.04.2021.
Gjyqtari i procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e
paraburgimit, duke marrë parasysh se hetimet janë në fazën fillestare, si dhe faktin se i pandehuri ka shkelur urdhrin mbrojtës të gjykatës, si edhe duke marrë parasysh rrethanat ku i pandehuri në mënyrë të vazhdueshme ka keqtrajtuar në aspektin psikik të dëmtuarën – bashkëshorten e tij, e ka fyer dhe e ka sulmuar fizikisht, pasi që në këtë rast dhe se ka edhe raste të tjera të mëparshme të dhunës në familje.
Prandaj, nga ajo që u paraqit më sipër, shihet se qëndrimi i të pandehurit në masën e paraburgimit është mëse i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë të procedurës penale, për zbatimin me sukses dhe efektiv të procedurës penale.