E sulmuan me gurë dhe e bën hajdut fëmijësh, burrit që u vesh si grua i dalin në përkrahje politikanët
Gjithçka nisi në rrjetet sociale, ku qytetarë shpërndanë fotografi të shumta të një personi për të cilin thonin se është “një burrë i rrezikshëm” e që është maskuar prapa veshjes dhe grimit të një femre, qëllimi i së cilit ishte të grabiste fëmijë.
Madje me këtë gjatë ditës u mor edhe Policia e Kosovës, të cilët për media deklaruan se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se deri më tani askush nuk kishte bërë ndonjë denoncim në drejtim të këtij personi.
Personi në fjalë gjatë ditës së sotme qëndroi në Lipjan, saktësisht tek sheshi i qytetit, ku edhe fëmijët të cilët gjendeshin në këtë pjesë filluan ta sulmonin dhe të hidhnin gurë derisa u rrëzua për tokë, raporton Indeksonline.
Ky gjest i ulët kundrejt dikujt që ka një stil më ndryshe, që u sulmua pa të drejtë dhe u paragjykua nga të tjerët, tani po komentohet edhe nga personalitetet publike, ku të njëjtit po mbështesin atë dhe po kritikojnë disa media të cilat spekuluan dhe iu drejtuan si “hajdut i fëmijëve”.
Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku ka thënë se pretekstet ishin pohime të paverifikuara dhe është turp e marrëzi e gjithë kjo çfarë ndodhi sot.
“Një qytetare e Kosovës, e përkatësisë rome, u sulmua nga disa të rinjë në pikë të ditës. Pretekst ishin disa pohime të paverifikuara të cilat u raportuan në disa mediume të Kosovës. Turp dhe marrëzi”, tha Çitaku.
Gjithashtu lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se po tregohemi trima me një grua të shkretë që sulmohet e linçohet, por që jemi qingja e të durueshëm më grabitësit e vërtetë.
“Trima e azganë me një grua të shkretë që sulmohet, linçohet e përshkruhet si monstrume.Qingja e të durueshëm me grabitësit e vërtetë; kapës politik që s’lënë gjë pa fëlliqë e pasuri pa vjedhë”, deklaroi Abdixhiku.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se është turp për mungesën e edukatës themelore, për mungesën e mendimit kritik si dhe për mosguximin me parandalu gjëra të tilla.
Ai shtoi gjithashtu se kur nuk punojmë çdo ditë për të luftuar paragjykimet, stereotipet e shpifjet, ditën e sulmeve është vonë të vajtojmë.
“Një dezinformatë mbi një qytetare që po “rrëmben” fëmijë u shpërnda pa kurrfarë verifikimi as mendimi mbi pasojat. Sulmi mbi të nga disa të rinj sot është mentalitet i turmës. Por mbi të gjitha është turp i joni.Turp për faktin që shpërndajmë lajme të tilla. Turp për mungesën e edukatës themelore. Turp për mungesën e mendimit kritik. Turp për mosguximin me parandalu gjëra të tilla. Turp për paragjykimet e stereotipet që i kemi. Turp për mos mbrojtjen e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.Sot u sulmua një qytetare, një grua. Fakti se ishte rome ndoshta i lehtëson racistët në shtetin tonë, por në fakt duhet të rëndojë tepër shumë të gjithë ata që mendojnë se shteti jonë është i barabartë. Kur nuk punojmë çdo ditë për të luftuar paragjykimet, stereotipet e shpifjet, ditën e sulmeve është vonë të vajtojmë”, tha Ahmeti.
Policia e Ksoovës ka bërë të ditur ndër të tjerash se i njëjti dyshohet të jetë romë nga Podujeva.
“Policia e Kosovës i posedon këto informacione e por nuk ka ndonjë informacion zyrtar se ka pasur raste të grabitjeve apo jo. Një shqetësim i tillë është ngritur në disa zona të Kosovës, në Malishevë, Podujevë e Prishtinë. Këtë person, policia e ka ndaluar edhe më datën 23 në Malishevë ka bërë identifikimin e dinë prejardhjen e këtij personi. I njëjti ka qenë duke u mbajtur edhe në qendrën për të huajt. Dyshohet se të jetë romë nga Podujeva. Nuk ka ndonjë rast të raportuar për viktimë”, ka thënë Kelani nga Policia e Kosovës./Indeksonline/