E tmerrshme: Rrahet barbarisht shqiptari, sherri nisi për një grua
Në rrjetet sociale po qarkullon një video ku shihet se si një grup të rinjsh rrahin brutalisht një burrë 30 vjeç
Ngjarja e rëndë ndodhi 3 ditë më parë në lagjen “13 shtatori” në Berat. Nga pamjet e publikuara nga “BalkanWeb” shihet se si 3 të rinj, dy prej tyre adoleshentë, masakrojnë me grushta e shkelma shtetasin me inicialet N.Ç., 30 vjeç nga fshati Duhanas, duke e lënë të shtrirë në tokë, pa ndjenja.
Edhe pse e kanë parë të shtrirë dhe pa ndjenja, të rinjtë janë kthyer disa herë dhe e kanë goditur prapë dhe e kanë tërhequr zvarrë.
30-vjeçari i plagosur ka qëndruar rreth 30 minuta pa ndjenja deri në mbërritjen e ambulancës, pasi nuk është ndihmuar nga askush. Ai është transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit, por më pas drejt Spitalit e Traumës në Tiranë, ndërsa mesohet se ia kishin thyer hundën. Menjëherë pas ngjarjes, policia arrestoi 3 të rinjtë, konkretisht shtetasit me inicialet F.G, 17 vjeç, J.B, 23 vjeç si dhe K.M., 18 vjeç, të tre banues në Berat.
Raportohet se shkak për sherrin ka qenë një femër. Para një muaji kur kjo grua kishte dalë nga puna në një fasoneri është ngacmuar nga shtetasit F.G, Judmir Briskaj dhe Kristjan Mbreca. Në këtë situatë ka ndërhyrë Nuredin Çala, sepse ishte familjar i saj dhe i ka qortuar të rinjtë. Mësohet se ky konflikti ka qenë vetëm verbal.
Ndërkohë, ditën e ngjarjes ata janë takuar rastësisht në një lokal dhe ngjarja eskaloi në dhunë. Policia e Beratit reagoi në kohë dhe arrestoi të rinjtë vetëm pak minuta pas ngjarjes. Si pasojë e goditjeve 30-vjeçari Çala, nga Duhanasi pësoi goditje të mëdha në kokë dhe mori mjekim në spitalin e qytetit.
Tre të rinjtë akuzohen për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje, e kryer në bashkëpunim”, ndërkohë që Gjykata e Beratit i ka lënë sot të lirë, duke dhënë për ta masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Edhe pse organi i prokurorisë ka kërkuar për ta “arrest me burgim”, gjykata në bazë të një akt ekspertimi mjeko-ligjor që e cilësonte “plagosje të lehtë”, i ka dhënë atyre lirinë.