19:46 / E Martë, 19 Shkurt 2019 / indeksADMonline

E uruan përvjetorin e Pavarësisë me parashutë, FFK hap procedurë disiplinore për skuadrën e Superligës

Të shtunën është zhvilluar ndeshja e javës së 18-të të Superligës në mes të Ballkanit dhe Drenicës, ku suharekasit fituan me rezultat 2-0.

Një ditë para përvjetorit të 11-të të Pavarësisë, dikush u përkujdes që të bëjë një urim special.

Një parashutist kaloi mbi stadiumin ku po zhvillohej ndeshja me flamurin e Kosovës si shenjë urimi për përvjetorin e themelimit të shtetit.

Mirëpo kjo sipas FFK-së është lëshim i organizimit nga ana e klubit vendas.

Komisioni disiplinor i garave pranë FFK-së ka hapur procedurë disiplinore për rastin në fjalë.

Ndaj KF “Ballkani” (motivi- lëshim në organizimin e ndeshjes – shkaku: gjatë zhvillimit të ndeshjes në min e 60 mbi stadium jo më shumë se 15 metra lartësi silleshin (fluturonin dy vetë me dy  parashuta të motorizuara me simbole shtetërore – flamuj, me qëllim që të tërheqin vëmendjen e publikut, me ç’rast e pengonin zhvillimin e ndeshjes në kushte normale. Në ato momente gjyqtari ndaloi lojën për 2 apo 3 min, deri sa ata dy pjesëtarë të një klubi aeronautik ta lëshonin hapësirën ajrore mbi stadium në ndeshjen KF Ballkani – KF Drenica, e zhvilluar më datë 16.02.2019 në Suhareke) sipas raportit të personave zyrtarë të ndeshjes.“, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ballkani ka kohë tri ditë për tu ankuar për vendimin e Federatës. /IndeksOnline/