75 Mall Live Search
12:38 / E Enjte, 12 Qershor 2025 / AR

E vrau kushëririn, reperi i njohur dënohet me 30 vjet burgim

Reperi amerikan me origjinë nga Atlanta, Silentó, i njohur për hitin “Watch Me (Whip/Nae Nae)”, është dënuar me 30 vjet burgim për vrasjen e kushëririt të tij në vitin 2021.

Ricky Lamar Hawk, emri i vërtetë i artistit 27-vjeçar, u deklarua fajtor me probleme mendore për vrasje të qëllimshme, si edhe për akuza të tjera si sulm i rënduar, posedim armësh dhe fshehje të vdekjes së një personi.

Ngjarja ndodhi në janar 2021 në Panthersville, Georgia, ku policia gjeti trupin e kushëririt të tij, Frederick Rooks III, me plagë të shumta nga armë zjarri. Një automjet i bardhë tip BMW, me të cilin reperi ishte parë më herët së bashku me viktimën, u kap nga kamerat e sigurisë duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Para këtij rasti, Silentó ishte përballur edhe me akuza të tjera për dhunë, përfshirë një incident në 2020 ku u akuzua për sulm me sëpatë ndaj dy personave në Los Angeles.

Reperi ka folur hapur për betejat e tij me shëndetin mendor, duke pranuar se fama i ka shtuar presionin dhe vuajtjet e brendshme.

“Kam luftuar me demonët gjithë jetën time”, ka thënë ai më herët. “Depresioni nuk të lë kur bëhesh i famshëm”.