ECDC: Europa duhet të rrisë masat kundër gripit të shpendëve, shpërthimet në nivel rekord
Europa po përballet me një valë “të paprecedentë” të gripit të shpendëve këtë vjeshtë, duke detyruar autoritetet shëndetësore të kërkojnë masa më të rrepta për të parandaluar përhapjen e virusit dhe rrezikun e transmetimit tek njerëzit.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), që nga shtatori janë regjistruar më shumë se 1,400 raste të gripit të shpendëve në të paktën 26 vende evropiane, një shifër katërfish më e lartë se një vit më parë dhe niveli më i lartë që nga viti 2016. Virusi po qarkullon me shpejtësi si te shpendët e egër, ashtu edhe në fermat e pulave.
ECDC paralajmëron se përhapja masive rrit mundësinë që virusi të kalojë tek njerëzit, edhe pse rreziku aktual për popullatën mbetet i ulët, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Në vitet e fundit, gripi i shpendëve është përhapur më shumë globalisht dhe, herë pas here, ka kaluar nga shpendët tek gjitarët si dhelprat, macet dhe minkët.
“Edhe pse rreziku për qytetarët evropianë është aktualisht i ulët, gripi i shpendëve mbetet një kërcënim serioz për shëndetin publik për shkak të shpërthimeve të përhapura tek kafshët,” deklaroi Edoardo Colzani, shef i viruseve respiratore në ECDC.
Agjencia thekson nevojën për zbulim të hershëm të rasteve, pasi shumë infeksione janë zbuluar te shpendët ujorë madje edhe te zogjtë që dukeshin të shëndetshëm.
Sipas Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), shumica e rasteve lidhen me një variant të ri të virusit që po përhapet me shpejtësi në kontinent.

