75 Mall Live Search
20:15 / E Martë, 01 Mars 2022 / OSH

ECPMF dhe EFJ mirëpresin mbështetjen e Republikës së Kosovës për strehimin e gazetarëve ukrainas

Sot, më 1 mars 2022, Qeveria e Republikës së Kosovës nënshkroi një dekret për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina, në koordinim me Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), transmeton IndeksOnline.

Vendimi është në përputhje me qëndrimin e Kosovës për solidaritet me të drejtën e Ukrainës për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial, dhe në frymën e mbrojtjes së të drejtave universale të njeriut. Dekreti, me të cilin do të ndahen 150 mijë euro nga rezervat shtetërore, është iniciuar nga deputetja Doarsa Kica Xhelili përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe më pas është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

ECPMF dhe EFJ do të koordinojnë identifikimin dhe përzgjedhjen e gazetarëve ukrainas që do të marrin mbështetje.

Buxheti do të mbulojë koston e marrjes me qira të një apartamenti dhe zyrë, një pagë mujore, sigurimin shëndetësor dhe kostot e zhvendosjes për gjashtë muaj.

Pas vendimit, Drejtori Menaxhues i ECPMF, Lutz Kinkel tha: “Derisa pushtimi i Putinit sjell luftë në Evropë, ne kemi parë gazetarë ukrainas që punojnë në kushte gjithnjë e më të rrezikshme për të informuar botën për krizën në vazhdim. Ne mbetemi të përkushtuar që t’i mbështesim këta gazetarë nëse ata detyrohen të largohen nga vendi dhe i jemi mirënjohës Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendimin e saj të shpejtë për të ofruar ndihmë në këtë drejtim. Nga drejtimi i programit tonë Gazetarët në Rezidencë, ne e dimë vlerën e ndihmës së gazetarëve me zhvendosjen gjatë kohëve të krizës dhe mirëpresim mundësinë për të ofruar mbështetje të ngjashme për gazetarët dhe punonjësit e medias nga Ukraina.”

Ricardo Gutiérrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve tha: “Gazetarët ukrainas po bëjnë një punë të shkëlqyer në një kontekst lufte intensive dhe dezinformimi. Ata e vënë veten në rrezik të madh për interesin publik. I shprehim mirënjohjen e profesionit atyre shteteve, siç është Kosova, që përkrahin kolegët tanë ukrainas. Kjo duhet të shërbejë si shembull për qeveritë e tjera në vende të tjera.”

Informacioni se si të aplikoni për të marrë mbështetje do të jetë i disponueshëm së shpejti.