20:28 / E Premte, 27 Janar 2023 / Gj. Sh

Ecuria e dobët i kushton trajnerit të Ajaxit

Ajax ka shkarkuar trajnerin Alfred Schreuder pas një ecurie të dobët të rezultateve.

Schreuder që zëvendësoi Erik ten Hag pas largimit të tij drejt Manchester United në fund të sezonit të kaluar fillimisht dukej se ishte i duhur në Amsterdam, duke fituar gjashtë ndeshjet e tij të para në ligë dhe duke mposhtur Rangers 4-0 në ndeshjen e parë të sezonit  në Ligën e Kampionëve, por eliminimi nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe rënia në formë ku Ajax dështoi të fitojë një nga shtatë ndeshjet e fundit në Eredivisie ndikuan që klubi vendosi të veprojë.

“Është një vendim i dhimbshëm, por edhe i domosdoshëm. Pikët e shumta të humbura dhe mungesa e zhvillimit të ekipit janë arsyet kryesore për këtë vendim. Menaxhmenti i klubit nuk ka më besim në bashkëpunimin e mëtejshëm”, ka thënë Shefi ekzekutiv i klubit, Edwin van der Sar.