18:34 / E Martë, 19 Maj 2020 / indeksADMonline

Edhe 11 mijë teste të reja për coronavirus arrijnë në Shqipëri

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vizituar nga afër Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Manastirliu u shpreh se, në fazën e rihapjes, do të intensifikohet testimi për gjurmimin aktiv të rasteve, ku 11 mijë teste të tjera kanë mbërritur në këtë laborator.


“Ajo çfarë është e rëndësishme është se ky laborator do të vijojë të ofrojë të njëjtin standard dhe do të jetë edhe në vijim i furnizuar, pasi çfarë kemi bërë deri sot është që kemi qenë në një linjë me strategjinë e miratuar edhe me të gjithë rekomandimet e strukturave ndërkombëtare. Çfarë duhet tashmë nga ky moment dhe në vijim është forcimi i kapaciteteve të laboratorit të Institutit të Shëndetit Publik për të vijuar dhe për të patur testime, për të gjurmuar dhe për të izoluar çdo rast të dyshuar”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Duke u ndalur tek testimet serologjike, Ministrja Manastirliu deklaroi se edhe në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë kryer deri tani mbi 1 mijë testime tek personeli shëndetësore.

“Nga ana tjetër kemi vijuar me testimet e serologjisë për evidentimin e krijimit të antitrupave tek grupet e riskut. Janë më shumë se 1 mijë personel shëndetësor të cilët kanë kryer analizën serologjike. Rreth 8% e tyre kanë krijuar antitrupa, pra rezultojnë 8% që kanë IGG positive”, tha Manastirliu.