Edhe 22 ditë afat për zgjedhjen e presidentit, Kurti e Abdixhiku takohen sot
Kosova ka edhe 22 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, ndërsa përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike po intensifikohen këtë javë.
Kryeministri Albin Kurti dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të takohen sot në një tentativë për të arritur kompromis rreth procesit të zgjedhjes së presidentit, transmton IndeksOnline.
Kjo situatë vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e kuvendit, duke konstatuar se ai nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Në aktgjykim, Kushtetuesja ka përcaktuar qartë se nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit, deputetët kanë në dispozicion 34 ditë për të përmbyllur procedurën e zgjedhjes së presidentit. Sipas llogaritjeve, ky afat përfundon, më 28 prill 2026.
Gjykata ka theksuar gjithashtu se nëse kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda këtij afati, ai shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45- ditësh. Në këtë rast, zgjedhjet do të mund të organizoheshin, më 12 qershor 2026.
Takimi i sotëm mes Kurtit dhe Abdixhikut shihet si një përpjekje kyç për të shmangur një krizë të re politike në vend, por sa do të jetë i suksesshëm, mbetet të shihet./IndeksOnline/

