“Edhe barazimi ka vlerë ndaj Zvicrës”, Albert Bunjaki optimist për Kosovën: Suedia ka respekt për ne…!

Kombëtarja e Kosovës përgatitet për dy ndeshje tejet të rëndësime në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, ndaj Zvicrës në Bazel dhe kundër Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për këto përballje, ish-selektori i Kosovës, Albert Bunjaki, në një intervistë për Indeksonline, ka ndarë mendimet e tij mbi qasjen taktike, lojtarët e rinj dhe sfidat që i presin “Dardanët”.
“Meqenëse është ndeshja e parë dhe luajmë si mysafirë në Zvicër, është shumë e rëndësishme të mos e humbim. Edhe një barazim do të kishte shumë vlerë për vazhdimësinë e garës.
“Taktikisht duhet të mendojmë për të nxjerrë një rezultat pozitiv, ku edhe një barazim do të ishte shumë me vlerë për vazhdimësinë e garës.
“Zvicra pa dyshim është kombëtarja më e fortë në grup, por besoj se jemi në momentin e duhur për t’u përballur me ta, sidomos me përkrahjen e madhe të publikut që pritet të jetë e jashtëzakonshme. Prandaj, në këtë ndeshje të parë duhet të kemi kujdes dhe shfrytezojm mundesit tona”, u shpreh Bunjaki

Sa i përket risisë në listën e Franco Fodës, mesfushorit Leon Abdullahu, ai vlerëson se prurja e tij rrit konkurrencën, por thekson se duhet kohë për t’u përshtatur:
“Ardhja e Leon Abdullahut pa dyshim do të rrisë konkurrencën në mesfushë. Edhe pse bëhet fjalë për një lojtar 21-vjeçar, ai tashmë ka përvojë të mjaftueshme nga ndeshjet ndërkombëtare me kombëtaret e grupmoshave të Zvicrës.
“Megjithatë, nuk duhet harruar se Kombëtarja A përfaqëson një nivel krejtësisht tjetër. Prandaj, për Leonin duhet të kemi durim dhe t’i japim kohën e nevojshme për t’u përshtatur dhe për të shprehur potencialin e tij të plotë.”
Për Suedinë, të cilën e njeh mirë nga karriera e tij në futbollin nordik, Bunjaki paralajmëron:
“Ata kanë një gjeneratë të re që luan në klubet më të mira të Evropës. Forca kryesore është te transformimet e shpejta ofensive dhe disiplinën kolektive. Suedezët kanë respekt për Kosovën dhe e dinë që do të jetë një lojë e vështirë.”
Në lidhje me perceptimin e mediave suedeze për grupin, ai thekson se fokusi kryesor është tek dueli mes Zvicrës dhe Suedisë, por kujton se “një gabim i vogël mund të kushtojë shtrenjtë”. Gjithashtu, ai përmend se Suedia do të vijë me disa mungesa të rëndësishme, përfshirë kapitenin e ekipit (Victor Lindelof).

Lidhur me transferimin e Edon Zhegrovës te Juventusi, Bunjaki shprehet krenar:
“Modernizimi i futbollit ka gjithmonë nevojë për artistë. Për mua kjo nuk është befasi, por një hap i madh për Edonin. Jam i lumtur për të dhe për Kosovën, sepse fëmijët tanë tani kanë një idhull të ri që do t’i frymëzojë.”
Sa i përket pranisë së tij në stadiumin “Fadil Vokrri”, ai mbetet i rezervuar:
“Ende nuk kam marrë një vendim pasi kam një ndjenjë të përzier. Jam i ftuar nga Federata Suedeze si mysafir, por nuk kam vendosur ende se si do të veproj.
“Disa vite më parë, kur Kosova luante kundër Anglisë, edhe atëherë unë dhe z. Tord Grip kishim ftesë nga Federata Angleze për të qenë mysafirë. Megjithatë, ditën e udhëtimit, në orën 05:00 të mëngjesit, vendosa të mos shkoj. Ishte e vështirë për mua ta shihja veten ulur pranë “Federatës Angleze në një ndeshje kundër Kosovës, pavarësisht respektit të madh që ata na ofronin. Edhe tani, për këtë ndeshje me Suedinë, e ndjej një ndjenjë të ngjashme të përzier. Edhe pse ftesa nuk ka ardhur nga FFK, por nga Federata Suedeze, do të shoh ditën e fluturimit se si do të ndjehem dhe më pas do të vendos”, tha Bunjaki për Indeksonline

Kujtojmë që të premtën (nesër) Kosova e zhvillon ndeshjen ndaj Zvicrës në Bazel nga ora 20:45, kurse të hënën ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Të dy takimet janë të vlefshme për kualifikimet në Kupën e Botës 2026./Indeksonline/