Edhe dy ditë afat për formimin e qeverisë “Konjufca”, Kurti tregon se çka tjetër është më urgjente tani
Kanë mbetur edhe dy ditë afat që Glauk Konjufca të prezantojë para deputetëve emrat e kabinetit të tij qeveritar, për të kuptuar nëse në fakt ka arritur që t’i sigurojë 61 vota.
Derisa kanë mbetur edhe dy ditë, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka njoftuar për seancën e radhës – atë të jashtëzakonshmen.
E për këtë çështje sot shkurtimisht u deklarua edhe Albin Kurti, si drejtues i Vetëvendosjes dhe kryeministër në detyrë.
Sipas Kurtit për momentin më urgjente është formimi i komisioneve të përhershme parlamentare.
“I kemi edhe dy ditë deri te seanca e kuvendit për mandatarin e radhës. Ajo që besoj që është urgjente për shtetin e Kosovës është formimi i komisioneve parlamentare. Janë katër komisione të përhershme, është komisioni për buxhet, punësim dhe transfere, komisioni për integrime për evropiane, komisioni për komunitete dhe kthim dhe komisioni për legjislacion. Tashti që e kemi konstituar kuvendin e Republikës së Kosovës në legjislaturën e nëntë është gabim politik dhe dëm financiar e social mosprocedimi i mëtutjeshëm në Kuvendin e Republikës, me ç’rast formimi i komisioneve parlamentare është rruga e duhur përpara’’, ka thënë Kurti.
Çështje më urgjente se kjo nuk ka, ndërkohë që natyrisht 15 ditëshi vlen deri të mërkurën, ka shtuar ndërkaq ai./Indeksonline/

