75 Mall Live Search
13:42 / E Mërkurë, 10 Shtator 2025 / A

Edhe LVV-ja dorëzon komente në Kushtetuese pas ankesës së Listës Serbe

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se LVV-ja ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komente lidhur me konstituimin e Kuvendit.

“Në kuadër të procedurës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës është thelbësore të theksohet se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, ku funksionimi i institucioneve është kusht i domosdoshëm për stabilitetin politik dhe për zhvillimin demokratik. Asnjë subjekt politik, përfshirë këtu partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë nuk mund të pengojnë apo të bllokojnë institucionet shtetërore, sidomos për qëllime politike që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, po ashtu edhe me sovranitetin e shtetit”, deklaroi ajo para gazetarëve.

“Në këtë kontest është e papranueshme që partitë politike, në këtë rast Lista Serbe, e cila as nuk e njeh Republikën e Kosovës, as nuk i njeh institucionet e saj të përdorë vendet e rezervuara për komunitete si mjet për të bllokuar konstituimin e Kuvendin e Kosovës dhe funksionimin e qeverisjes demokratike”, deklaroi Haxhiu.

“Shteti ynë është shtet unitar dhe jo shtet multientik. Ky model është rregullator i Republikës tonë demokratike. Asnjë grup etnik gjinor apo shoqëror nuk e ka të drejtën e vetos mbi organet tona që konstituojnë Republikën. Ne qytetarët e saj jemi palë të barabarta”.