75 Mall Live Search
21:59 / E Diele, 16 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Edhe në Kosovë gjendja në arsim e mjerueshme, studentët pa vullnet për protesta

Protesta e studentëve në Tiranë po bënë bujë të madhe madje krahasuar me ditët e para ajo sa po vjen e po zgjerohet. Ata po kërkojnë ndryshimin e sistemit të arsimit, duke filluar me uljen prej 50% të tarifës së studimit, dyfishimin e buxhetit për arsim të lartë, rritja e pranisë së studentëve në bordet vendimmarrëse të universiteteve publike dhe gjithashtu rritjen e cilësisë në arsim.

Por njësitë e arsimit në Kosovës po vlerësojnë se edhe sistemi arsim në Kosovë ka shumë arsyeje për ankesa e protesta.

Sipas drejtuesit të Qendrës për Arsim të Kosovës njëherësh edhe njohësit të arsimit, Dukagjin Pupovci për “Indeksonline” ka thënë se studentët në Kosovë nuk kanë një arsye të vetme por shumë arsye për protestë.

“Studentët në Kosovë nuk kanë asnjë arsye të vetme të jenë të kënaqur me gjendjen në arsimin e lartë dhe me situatën e përgjithshme në vend, por rrethanat ndryshojnë dukshëm nga ato në Shqipëri”
Pupovci vë në pah se protesta në Shqipëri ka filluar për disa tarifa, për të vazhduar me kërkesa të tjera.

“Protesta në Shqipëri filloi për disa tarifat shtesë, të cilat u hoqën nga Qeveria, për të vazhduar pastaj me kërkesa realizimi i të cilave kërkon jo muaj, por vite e dekada. Si duket, po shpërthen mllefi i akumuluar me vite, jo vetëm i studentëve, ndaj arrogancës që demonstron në vazhdimësi klasa politike në Shqipëri. Po këtë arrogancë e gjejmë edhe tek klasa politike në Kosovë, e cila nuk len gjë pa bërë për të mbetur në pushtet, ndërkohë. të rinjtë kërkojnë rrugë legale e ilegale për t’u larguar nga vendi” ka thënë Pupovci.

Njohësi i gjendjes së arsimit në Kosovës ka theksuar se temat për të cilat diskutohet në Kosovës, në vendet tjera janë tejkaluar vite më parë, e kjo po e lë prapa edhe zhvillimin e arsimit në Kosovë.

“Këtu ende kemi tema që vendet tjera të Ballkanit i kanë tejkaluar moti, e të cilat mbahen lartë në agjendën politike, pikërisht për ta shpërqendruar vëmendjen nga problemet e jetës së përditshme. Një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, klasa jonë politike hap debate për kufijtë e vendit, ndërkohë që, për shkak të veprimeve ose mosveprimeve të saj, bllokohet procesi i liberaliizimit të vizave, njohjet zëvendësohen me çnjohje, ndërsa nga Buxheti i Kosovës paguhen pensione për mijëra veteranë të rrejshëm” është shprehur Pupovci.

Mungesa e literaturës, kushtet jo të mirë të punës, cilësia e stafit akademik janë vetëm disa nga arsyet për protestë.

“Përjashto tarifat, problemet e studentëve në Kosovë janë po ato me të cilat përballen studentët në Shqipëri: cilësia jo e kënaqshme e arsimimit që ju ofrohet, kushtet jo të mira të punës, qasja e kufizuar në literaturë, cilësia e stafit akademik, e kështu me radhë. Për fat të keq, ekziston një pajtueshmëri e studentëve me këtë situatë, pasi këto mangësi “kompensohen” me ulje të kritereve, gjë që ofron një rrugë më të lehtë për të përfunduar studimet”

Por, Pupovci shumë sfiduese po e she edhe pjesën pas diplomimit të studentëve, duke konsideruar se nuk ka vende pune për ta apo ata nuk kanë përgatitjet e nevojshme për ato vende që janë në dispozicion.
Kurse se gjendja e studentëve të Kosovës është e keqe është shprehur edhe Kryetari i organizatës studentore “Demokracia Studentore”, Mexhid Ramusa.

Sipas tij, përzërja e politikës në universitete dhe punësime po ndikon në gjendjen e keqe të studentëve në Kosovë, por jo vetëm ato.
Ramusa ka theksuar se studentëve në Kosovë u mohohet fjala e lirë, sidomos nga ana e profesorëve të cilët më pas edhe hakmerren.

“Ndikimi politik nëpër universitete, në punësime dhe e gjithë kjo po ndikon direkt në cilësi dhe po e cenon autonominë e universiteteve. Problemet tona si studentë janë shumë më të mëdha se në Shqipëri, pasi që po na mohohet fjala e lirë, nëse ankohesh për një profesor, ose dekan hakmarrjen e ke të sigurte, mos të flasim për jetën e studentëve, tarifat e pagesave e të tjerë” është shprehur ai.

Kryetari i organizatës, Demokracia Studentore konsideron se në Kosovë duhet të organizohet një protestë kundër politizimit të arsimit, punësimeve të paligjshme, korrupsionit, cilësisë e shumë problemeve të tjera.

Por, ndryshe eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci po konsideron se studentëve në Kosovë u mungon gatishmëria për të protestuar për probleme me të cilët po përballen.

“Në kushte të tilla, mendoj se gatishmëria për të protestuar për përmirësimin e gjendjes në arsim është pothuaj se inekzistente, por kjo nuk do të thotë se edhe këtu një ditë nuk do të shpërthejë mllefi, ashtu si po ndodhë në Shqipëri” ka përfunduar Pupovci.

Ndryshe, protesta e studentëve në Shqipëri këtë javë ka ardhur duke u zgjeruar, teksa studentët po deklarojnë se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre./Indeksonline/