75 Mall Live Search
22:58 / E Mërkurë, 27 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Edhe në orët e vona vazhdon dërgimi i ndihmave nga të gjitha trevat shqiptare për Shqipërinë

Mëngjesin e djeshëm shqiptarët nuk e pritën në mënyrë të zakonshme. Lëkundjet e fuqishme të tokës bën që shumë prej tyre të kenë ditën e fundit të jetës, e shumë të tjerë të luten për shpëtim.

32 është numri i viktimave deri në këto orë, derisa numri i të lënduarve të cilët po kërkojnë ndihmë në qendrat spitalore është qindra.

Ushtarë, policë, zjarrfikës e shumë vullnetare janë duke vazhduar operacionin e kërkim-shpëtimit në Durrës e Thumanë aty ku edhe shumë banorë po presin për të marrë lajm për familjarët e tyre që ende figurojnë si të zhdukur.

Ndërsa në gjithë këtë situatë të krijuar për t’i ndihmuar banorëve të Shqipërisë janë bërë bashkë gjithë shqiptarët anembanë.

Kosova bashkë me Luginë e Diasporë, të gjithë të mobilizuar që të sigurojnë ushqim, veshmbathje ushqim e madje edhe fonde parash për të stabilizuar sado pak këtë gjendje të krijuar, raporton Indeksonline.

Edhe sonte në orë të vona shumë prej tyre vazhdojnë të jenë rrugës për në Shqipëri, që t’u dërgojnë ndihmat e nevojshme të gjithë atyre që po vazhdojnë të qëndrojnë nën qiell të hapur, në tenda të shumta të hapura në këto dy qytete.

Në disa pamje të realizuara nga fotoreporteri i Indeksonline në pikën kufitare me Shqipërinë shihet një kolonë e gjatë e veturave, kamionëve e mjeteve të ndryshme të transportit që po bartin ndihma e që sigurisht për banorët e prekur nga tërmeti do të thotë shumë.

Padyshim se shqiptarët do të vazhdojnë të jenë për njëri-tjetrin, edhe në këtë rast dhe në çfarëdo situate tjetër të krijuar./Indeksonline/