75 Mall Live Search
13:57 / E Hënë, 12 Shtator 2022 / k.v

Edhe në rigjykim, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për grabitje me armë në barnatore

Në seancën e rigjykimit, i akuzuari Ruzhdi Hasani është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se në nëntor të vitit 2020, nën kërcënimin e armës ka grabitur 550 euro.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Hasani e ka dhënë të hënën, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e kam bo unë për me pranu”, tha i akuzuari Hasani.

Tutje, në fjalën hyrëse prokurorja Hamiti deklaroi se qëndron në tërësi pranë aktakuzës dhe se e njëjta sipas saj nuk ka ndonjë ndryshim.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Ali Latifi në fjalën e tij hyrëse tha se meqenëse prokuroria nuk ka bërë ndryshimin e aktakuzës e as nuk ka sjellë prova të reja, i propozon gjykatës që të hudhet poshtë kjo aktakuzë.

Sipas tij, provat e prezantuara nga ana e policisë dhe prokurores janë në kundërshtim të plotë me aktakuzën sepse sipas tij kemi të bëjmë me prova të cilat janë të papranueshme.

“Andaj, kërkoj nga trupi gjykues që të veprojë sipas sugjerimeve të Gjykatës së Apelit”, tha avokati Latifi.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 20 tetor të këtij viti, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Hasani për veprën penale “Grabitja” dhe e kishte dënuar me 4 vite burgim dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, ndërsa ishte liruar nga akuza për armëmbajtje.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishte parashtruar prokuroria dhe mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Ali Latifi.

Sipas Gjykatës së Apelit, nga dëshmitë e dëshmitarëve nuk ka mundur të vërtetohet se ishte i akuzuari ai që kishte grabitur barnatoren dhe nga provat e administruara, sipas Apelit gjykata e shkallës së parë nuk ka nxjerrë përfundimet e saj pa eliminuar kundërthëniet e provave kontradiktore dhe vërtetuar faktet konkrete.

Andaj, Apeli kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ruzhdi Hasani, po akuzohet se më 27 nëntor 2020, rreth orës 20:00, në barnatoren “USA-D”, e cila gjendet në Prishtinë, në rrugën “Holger Petersen”, i maskuar me maskë dhe kapele në kokë, nën kërcënimin e revoles, ka grabitur para në vlerë prej 550 euro, nga punonjësit e barnatores, të dëmtuarat Fjolla Kamerolli dhe Drilona Atashi.

Me këtë, Hasani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”.

Po ashtu, Hasani po akuzohet se në të njëjtën ditë dhe kohë ka mbajtur në pronësi armën e tipit të panjohur, me të cilën thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.