Edhe në rigjykim, dënohet me 24 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e dyfishtë në Vushtrri
Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, edhe në rigjykim shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Jetmir Sinani, duke e dënuar me dënim unik prej 24 vjet burgim për vrasjen e dyfishtë në Vushtrri.
Në këtë rast, Jetmir Sinani akuzohej për vrasjen e F.Z. dhe L.M., më 2023 në Vushtrri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Xhemajl Jusufi, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor me date 25.11.2025, me date 01.12.2025 publikisht shpalli aktgjykimin me të cilin i pandehuri J.S. u shpall fajtor dhe ndaj tij u shqiptua dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej njëzet e katër (24) vjet”, njofton Gjykata.
Edhe në gjykimin e parë më 20 janar 2025, Gjykata Themelore në Mitrovicë, Sinanin e dënoi me dënim unik prej 24 vjet burgim. Por, rasti është kthyer në rigjykim nga Apeli.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri, por ndaj tyre ishte veçuar procedura penale në Departament të Përgjithshëm – Dega në Vushtrri.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 27 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Jetmir Sinani, Edin Beka, Ylli Mustafa, Valdrin Qerimi, Ilmi Shaqiri dhe Mergim Kameri.
Në pikën e parë të aktakuzës, Jetmir Sinani akuzohet se më 29 tetor 2023, rreth orës 15:50 në udhëkryqin e rrugëve “Mehmet Konjuhi”, “Rifat Galiza dhe “Zahir Pajaziti” në Vushtrri, me dashje ka privuar nga jeta viktimat F.Z. dhe L.M.
Në seancën e 9 janarit, ekspertja kishte deklaruar se i akuzuari nuk ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore.

