75 Mall Live Search
12:57 / E Martë, 05 Janar 2021 / OSH

Edhe Nisma jep votën e saj, PRO dërgimit të ushtrisë në Misione Paqëruajtëse

Shefi i Grupit parlamentar të Nismas, Endrit Shala, ka thënë se e mbështesin fuqishëm kërkesën e Qeverisë së Kosovës për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme që u lejon Ushtrisë së Kosovës angazhimin në misione paqeruajtëse.

“Ndaj ne si NISMA mbështesim fuqishëm kërkesën e Qeverisë së Republikës, që Kuvendi i Kosovës të mbajë sot seancën e jashtëzakonshme që i lejon Ushtrisë së Kosovës angazhim në misione paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës, me saktë aleatit tonë historik SHBA-së.”, ka shkruar ai.

Shkrimi i tij i plotë:

Jam jashtëzakonisht i lumtur që seancën e parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për këtë vit, ta nisim me një lajm të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, e sidomos për ushtarakët që shërbejnë në Ushtrinë e Kosovës.

Për ne NISMA Socialdemokrate dhe besojmë për secilin që e do këtë vend, ushtria jonë është krenaria më e madhe që e kemi ndërtuar bashkë.

Ndaj ne si NISMA mbështesim fuqishëm kërkesën e Qeverisë së Republikës, që Kuvendi i Kosovës të mbajë sot seancën e jashtëzakonshme që i lejon Ushtrisë së Kosovës angazhimin në misione paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës, më saktë aleatit tonë historik SHBA-së.

Për mua si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, asgjë nuk do ma shtonte më shumë krenarinë, se sa t’i shihja vajzat e djemtë e ushtrisë sonë, duke shërbyer krahas ushtrisë së SHBA-së, për të siguruar paqe e liri kudo në botë.

Duke qenë i bindur se secili ushtar i Kosovës do e nderojë atdheun dhe flamurin e këtij shteti, nga zemra uroj secilin prej tyre për sfidën e re që i pret.

E. SH.