75 Mall Live Search
16:33 / E Shtunë, 12 Dhjetor 2020 / B O

Edhe një klub i Premier League-s kalon në pronësinë e amerikanëve

Burnley bëhet klubi i radhës i Premier League-s angleze që do të kalojë në pronësinë e kompanive amerikane. Më në fund gjithçka është zyrtare dhe javën e ardhshme pritet të hidhet edhe firma që do të mbyllë përfundimisht marrëveshjen, për kalimin e klubit nga Lancashire në administrimin e grupit nga Shtetet e Bashkuara, ALK Capital.

Një lajm i shkëlqyer për trajnerin Sean Dyche, që synon të përforcojë patjetër ekipin gjatë merkatos së ardhshme, që do të zhvillohet në muajin janar. Aktualisht klubi nga Lancashire pozicionohet në vendin e tretë nga fundi në kampionatin anglez, në kuotën e 6 pikëve. “The Clarets” kanë fituar vetëm takimin e 23 nëntorit në “Turf Moor”, edhe atë minimalisht 1-0 ndaj një kundërshtari si Crystal Palace, sidoqoftë skuadra ka treguar shenja të qarta përmirësimi, duke grumbulluar 4 pikë në 3 sfidat e fundit në Premiership, në një kohë kur në 7 javët e para ekipi i Burnley-t bëri bashkë thjesht dy barazime gjithsej.

Për momentin grupi amerikan ALK Capital është në pritje të aprovimit përfundimtar nga krerët e Premier League-s. Sipas Daily Mail stafit të klubit i është komunikuar lajmi për t’u bërë gati për një ndryshim të shpejtë të pronësisë. Pra gjithçka pritet të mbyllet pikërisht javën e ardhshme me aprovimin e drejtuesve të Premier League-s, gjithsesi krerët më të lartë të kampionatit elitar anglez nuk pritet të nxjerrin probleme ndaj kompanisë ALK Capital, një firmë që investon prej dekadash në sport, e udhëhequr nga eksperti financiar Alan Pace.

Sipas Daily Mail, grupi nga Shtetet e Bashkuara ALK Capital do t’i paguajë plot 200 milionë stërlina pronarit aktual Mike Garlick dhe gjithçka po bëhet me ritme të përshpejtuara, për të kapur në kohë pikërisht merkaton e dimrit. Në tentativën për të blerë klubin e Burnley-t, kompania amerikane ka patur gjithashtu edhe konkurrencën e biznesmenit egjiptian Mohamed El Kashashy, si dhe atë të avokatit sportiv Chris Farnell, por burime të ndryshme kanë shpjeguar se ofertat e tyre nuk ishin kaq të forta, krahasuar me shumën e ofruar nga ALK Capital Group.

Përpara se të hidheshin edhe hapat përfundimtarë drejt mbylljes së marrëveshjes u fol shumë edhe për mundësinë e shtyrjes së vendimit për shitjen e klubit edhe për pak kohë nga pronari aktual Mike Garlick, por sidoqoftë tani gjithçka duket e kopsitur dhe me shumë gjasa grupi amerikan ALK Capital do të marrë pronësinë e klubit nga Lancashire që javën tjetër.