18:52 / E Mërkurë, 10 Korrik 2019 / indeksADMonline

Edhe pas video-s nga përleshja me karrige në Vushtrri, Tahiri thotë se LDK është më e madhe se secili anëtar

Të dielën Indeksonline raportoi lidhur me një përplasje fizike në mes anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri.

Pavarësisht këtij raportimi, i pari i kësaj komune nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri deklarohej se nuk merret me çështje të tilla dhe se po merret vetëm me punët e komunës.

Madje ai tha se nuk po merret aspak as me procesin zgjedhor të LDK-së.

Por sot kur janë publikuar edhe pamjet e kësaj rrahje, përsëri ekskluzivisht nga Indeksonline, Xhaferi ka thënë se LDK është më e madhe se secili anëtar.

“Mund të ketë pasione të momentit që mund të kalojnë në situata të pakëndshme. Këto situata nuk duhet të përsëriten asnjëherë sepse e dëmtojnë LDK-në.LDK duhet të ulet ta analizojë situatën dhe ta menaxhojë procesin zgjedhor”, tha Tahiri për Klan.

Ai gjithashtu gjen kohë për të akuzuar subjektet e tjera politike që sipas tij kanë të bëjnë me përleshjet që LDK-së që ndodhën në Prishtinë, Ferizaj e vende të tjera.

“Ka interferime edhe nga subjektet tjera të cilat mundohen ta diskreditojnë LDK-në – tashmë si fituese e padiskutueshme në zgjedhjet e ardhshme nacionale”, shtoi ai./Indeksonline/