10:22 / E Enjte, 21 Nëntor 2019

Rexhep Selimi, i bashkohet nesër protestës, kundër rritjes së çmimit për sigurimin e veturave

Grupi “Marakli t’kerreve” nesër nga ora 13:00 do të mbajnë një protestë kundër vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, për shtrenjtimin e sigurimeve të veturave për 26 për qind.

Kësaj proteste kundër rritjes së çmimeve për sigurimin e veturave do t’i bashkohet edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës i cili siguroi votat edhe për një mandat të dytë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Në paralajmërimin e kësaj proteste së cilës do t’i bashkohet Selimi, shkroi se duhet reaguar për të mbrojtur veten.

Njoftimi i plotë për këtë protestë të organizuar nga ‘Marakli t’kerreve’

Nga 15 nëntori ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%. Duke e ditur këtë fakt, i cili prekë xhepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tej gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq, prandaj më 22 nëntor 2019 (e premte ) nga ora 13:00 grupi “Marakli t’kerreve” organizon protestë me qëllimin e vetëm, atë të kundërshtimit të këtij vendimi. Protesta do të mbahet në rrugën “Luan Haradinaj” pranë BQK-së. Ne ftojmë çdo qytetar, organizatë, media si edhe çdo palë tjetër të interesuar të na bashkohet në mënyrë që të arrijmë synimet tona